Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati Reçak në Shtime u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Në vendin që asokohe pak kush ia dinte emrin u vranë mizorisht, fëmijë, të rritur e pleq e në mesin e tyre edhe një grua e moshuar i së cilës ende nuk është gjetur.
I mbijetuari i kësaj masakre, pa tmerrin që përjetuan mëngjesin e hershëm të vitit 1999. Ramë Shabani, 57-vjeçar, rrëfen për ATV-në se rreth 30 banorë të fshatit, atë ditë ishin strehuar në podrumin e Sadik Osmanit, shtëpia e të cilit edhe sot mban shenjat e plumbave që u shkrepen po atë ditë.
“Fshati Reçak u kanë i rrethuar në të gjitha pjesët dhe ka qenë i ganatum. 15 minuta para se të bëhet ora 7:00, kanë krisë krismat e para. E di orën sepse kam qenë fjetë dhe ka ardhë nëna, më ka thënë zgjohu se kështu është duke ndodhur. I kam thënë nënës a janë duke gjuajtur me armatime të mëdha apo të vogla, më tha ‘më të mëdha, hiç mos dil jashtë’. Kam dalë unë, kur kam dalë jemi taku me bacën Sadik dhe u kanë natë e Katragjeqave atë natë, kemi dalë me pa çka po bëhet, kur kemi dalë e kemi pasur numrin e vëzhguesve në telefon, baca Sadik e ka pasë një telefon ajror dhe i ka thirrë ata. Na kanë thirrë e na kanë thanë nuk po mundemi me ardh se Shtimja e Reçaku është i rrethuar. Jemi tubu e kemi hyrë në shtëpi të baçit Sadik për shkak se u kanë shtëpi me podrum dhe e ka pasë malin ngat, ku shihet vendi i masakrës dhe aty kemi ndejtë”, rrëfen Shabani.
Ai rrëfen se çfarë kishte biseduar komandanti i ushtrisë serbe në telefon me eprorin e tij, deri sa këta po mbaheshin pengje.
“Aty kanë ardhë forcat serbe, na kanë marrë, na kanë çitë jashtë, na kanë rrahë, na i kanë marrë çka kemi pasë gjëra, para letërnjoftime e krejt dhe na kanë mbajtë, nuk e di sa ka qenë ora, dhe aty e kanë thirrë në telefon, unë e kam pasë një polic ngat, e kanë thirrë i thanë “komandir, a u kry aksioni, tha po. Sa janë, i tha mbi 30 na numëroi serbisht, dhe tha lëshoni”. Kur na lëshoi, unë qysh kesh i pari, mbeta i mbrami. Na thanë vendosni duart për mbrapa dhe shkoni kodrës për pjetë te UÇK-ja, i vendosëm duart dhe kur kemi shku deri në gjysmë të rrugës, kam shiku a po na vinë mbrapa, nuk na kanë ardhë mbrapa, iu kam thënë shkepnu, bile mos të na vrajnë me një plumb. Kemi shkepë, baca Sadik me ka pritë se e ka pasë djalin, unë e kam pasë nënën, çikën, gruan e mixhës, më tha ku mbet Burimi, i thash e kthyen brenda e shtinën se i ka pasë 14-15 vjet, edhe tha po e mbytkan, kemi shku. Jemi ulë te vendi ku është vendi i masakrës, aty ka dalë një serb dhe ka thënë çka po pritni ju dhe ka fillu të gjuajë menjëherë. Unë kam fillu me ikë të poshtë dhe 7-8 vetë janë vra të poshtë. Unë në trup asnjë, por në tesha kam pasë plumba në krejt teshat dhe e kam pasë kryet në dy vende të çarë prej stupcit”, rrëfen Shabani.
Ai ende i ka të freskëta çdo dejat të tmerrshëm që kishte parë atë ditë.
“Dhe aty, qysh shihen pa kokë, pa zemër, pa pjesë të trupit, unë aty e kam vëllain të vrarë dhe 12 kushërinj, ka prej çdo familje nga 2-3, sikur Fatmir është me dy vëllezër, Jashari po ashtu është me dy vëllezër, baçi Shyqë është me gjithë djalë, baçi Rizah është me dy djemtë, baçi Bajram me çikë, baçi Haki me dy vëllezërit, gruan e ka të zhdukur”, rrëfen Shabani. /atvlive.tv
Rrëfimin e plotë për ATV-në nga i mbijetuari i masakrës së Reçakut, Ramë Shabani, e gjeni ën videon më poshtë: