Djegia e një makine dyshohej se ishte aksidentale, por provat vërtetuan të kundërtën.
Pas hetimit në pranga është vënë një 36-vjeçar, i cili i vuri flakën mjeti të parkuar në Elbasan për motive të dobëta.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të veprimeve hetimore të thelluara për zbardhjen e rrethanave të djegies së një automjeti në lagjen “Aqif Pasha”, më datë 23.01.2025, që fillimisht u dyshua aksidentale, bazuar në provat e administruara dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “The last fire”.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi G. M., 36 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë për disa vepra penale.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 36-vjeçari, më datë 23.01.2025, gjatë natës, në lagjen “Aqif Pasha”, për motive të dobëta, ka djegur me lëndë djegëse (benzinë), një automjet të parkuar, në pronësi të shtetasit S. M. Nga përhapja e flakëve u dogj pjesërisht dhe një automjet tjetër i parkuar aty pranë”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.