Një raketë balistike e lëshuar nga Irani, e cila po i drejtohej hapësirës ajrore turke, është rrëzuar nga mbrojtja ajrore e NATO-s në Mesdheun lindor, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Sipas autoriteteve turke, raketa kishte kaluar fillimisht nëpër hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisw përpara se të neutralizohej. Nuk raportohen viktima apo të lënduar nga incidenti.
Në deklaratën zyrtare, ministria theksoi se Turqia mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe paqes rajonale, por është plotësisht e aftë të mbrojë territorin dhe qytetarët e saj nga çdo kërcënim, pavarësisht burimit apo origjinës.
“Të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur territorin dhe hapësirën tonë ajrore do të ndërmerren me vendosmëri dhe pa hezitim. E drejta jonë për t’iu përgjigjur çdo akti armiqësor të drejtuar kundër vendit tonë është e rezervuar”, thuhet në reagim.
Ankaraja u bëri gjithashtu thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprime që mund të përshkallëzojnë më tej konfliktin në rajon. Ministria konfirmoi se Turqia do të zhvillojë konsultime me NATO-n dhe aleatët e saj pas incidentit.
Ngjarja shënon përshkallëzimin më të fundit në konfliktin në zgjerim në Lindjen e Mesme. Para nisjes së sulmeve nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, Turqia – anëtare e NATO-s dhe fqinje e Iranit – kishte kërkuar për javë të tëra nga Uashingtoni dhe Teherani të arrinin një marrëveshje në kuadër të negociatave për programin bërthamor dhe aftësitë raketore të Iranit, duke paralajmëruar se rajoni nuk mund të përballonte destabilizim të mëtejshëm.
