Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dalë kundër raportimeve në të cilat u citua inteligjenca amerikane, ku thuhet se ShBA-ja nuk e ka shkatërruar programin bërthamor të Iranit.
Duke folur me gazetarë në aeroplanin presidencial “Air Force One”, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se të tria qendrat bërthamore në Iran janë goditur “në mënyrë të përsosur” dhe janë shkatërruar, raporton televizioni BBC.
Ai gjithashtu tha se raportimet e mediave amerikane janë “shumë jorespektuese” për ata që i kryen këto sulme.
Më herët, ai i kritikoi mediat se po mundohen që ta “poshtërojnë njërin nga sulmet më të suksesshme ushtarake në histori”.
Kongresmeni demokrat, Brad Sherman, tha se Irani ende i mban rezervat e uraniumit që do të ishin “të mjaftueshme për nëntë armë bërthamore”.
Ai shtoi se asgjë në Shtëpinë e Bardhë nuk lë të kuptohet që ShBA-ja i ka eliminuar centrifugat që janë jetike për pasurimin e uraniumit.