Trumpi e përmend përsëri Grenlandën: Po na thërrasin ata, s’po i thërrasim ne

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të hënën e përsëriti sugjerimin e tij se ShBA-ja duhet ta marrë nën kontroll Grenlandën, përderisa udhëheqës të territorit gjysmautonom danez kritikuan një vizitë të planifikuar këtë javë nga një delegacion amerikan i nivelit të lartë.

“Mendoj se Grenlanda është diçka që ndoshta do të jetë në të ardhmen tonë” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë para gazetarëve pas një takimi me zyrtarë në kabinetin e tij, duke thënë se ishulli gjigant është i rëndësishëm për sigurinë kombëtare të ShBA-së, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kryeministri në largim i Grenlandës, Mute Egede, i quajti “provokim” planet e një delegacioni amerikan për të vizituar një bazë ushtarake amerikane dhe për të përcjellë një garë me qen me saja dhe tha se qeveria në detyrë e vendit të tij nuk do të takohet me mysafirët nga Uashingtoni.

Trumpi tha se administrata e tij është duke punuar me “njerëzit në Grenlandë”, të cilët duhet që diçka të ndodhë, por nuk dha hollësi. “Ata po na thërrasin, ne nuk po i thërrasim” – tha presidenti amerikan.

Vizita e delegacionit amerikan, e cila pritet të fillojë të enjten e të zgjasë deri të shtunën, do të udhëhiqet nga Usha Vance, bashkëshorte e nënpresidentit JD Vance. Pjesë e vizitës do të jenë edhe këshilltari për siguri kombëtare, Mike Waltz, dhe sekretari i Energjisë, Chris Ëright.

“Ndërhyrja e tillë është shkelje e parimeve tona demokratike dhe tregon mungesë respekti për vetëvendosjen tonë” – tha kryeministri në largim i Grenlandës për transmetuesin publik KNR, duke shtuar se aleatët e vendit të tij duhet të jenë më të fuqishëm në deklaratat e tyre.

“Ne nuk kemi parë ende ndonjërin nga aleatët tanë të ketë bërë një deklaratë të qartë dhe ne kemi nevojë për miqtë tanë në mesin e kombeve. Prandaj, ata duhet të dalin në pah në mënyrë më të qartë, nuk ka rrugë tjetër. Deklaratat e mjegullta duhet të marrin fund” – shtoi Egede.

Vizita e planifikuar e delegacionit amerikan në Grenlandë u kritikua edhe nga ministri i Punëve të Jashtme i Danimarkës. Kjo vizitë është “problematike” dhe tregon “mungesë respekti”, tha të hënën kryediplomati danez, Lars Lokke Rasmussen.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here