Trump sulmon Elon Musk: Pa subvencione, do ktheheshe në shtëpi, në Afrikën e Jugut

Presidenti amerikan Donald Trump, ka sulmuar sërish miliarderin Elon Musk, duke deklaruar se themeluesi i Tesla-s “do të mbyllte gjithçka dhe do të kthehej në Afrikën e Jugut”, nëse qeveria federale do të ndërpriste subvencionet për makinat elektrike.

“Elon mund të ketë marrë më shumë subvencione se çdo njeri tjetër në histori, dhe pa to, ndoshta do t’i duhej të mbyllte gjithçka dhe të kthehej në shtëpi, në Afrikën e Jugut,” shkroi Trump në rrjetet sociale të martën, duke iu referuar ish-donatorit të fushatës së tij, i cili zotëron kompaninë prodhuese të automjeteve elektrike, Tesla.

Reagimi i presidentit erdhi pasi Musk kritikoi sërish ligjin e shumëdebatuar të administratës Trump, të cilësuar nga presidenti si “Big Beautiful Bill”, duke e quajtur reduktimin e kredive për automjetet elektrike dhe energjinë e pastër si “jashtëzakonisht shkatërrues” dhe “vetëvrasje politike për Partinë Republikane”.

“Elon Musk e dinte shumë mirë, shumë kohë përpara se të më mbështeste publikisht për President, që unë kam qenë gjithmonë kundër detyrimit për makina elektrike. Është absurde dhe ka qenë pjesë qendrore e fushatës sime. Makinat elektrike janë në rregull, por askush nuk duhet të detyrohet t’i blejë ato,” u shpreh Trump.

Aktualisht, nuk ka asnjë ligj në SHBA që detyron qytetarët të përdorin automjete elektrike, por qeveria ofron lehtësime fiskale për të inkurajuar blerjen e mjeteve më miqësore me mjedisin.

“Nuk do të ketë më lëshime raketash, satelitësh apo prodhim makinash elektrike, dhe vendi ynë do të kursejë një PASURI. Ndoshta duhet ta lëmë DOGE-n të hedhë një sy të fortë mbi këtë? Ka shumë para për të kursyer!!!” shtoi Trump, duke kritikuar gjithashtu kontratat fitimprurëse të kompanisë SpaceX të Musk me qeverinë amerikane.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here