Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tha sot udhëheqësve evropianë se Evropa duhet të ndalojë blerjen e naftës ruse, sepse shitja e kësaj energjie ndihmon Moskën të financojë luftën e saj kundër Ukrainës, tha një zyrtar i paidentifikuar i Shtëpisë së Bardhë për Reuters.
Trump u tha pjesëmarrësve në takimin e “Koalicionit të Vullnetit” se Evropa duhet të ndalojë blerjen e naftës ruse, pasi Rusia fitoi 1.1 miliardë euro në një vit duke i shitur karburant BE-së, tha zyrtari.
Sipas tij, udhëheqësit evropianë duhet të ushtrojnë presion ekonomik mbi Kinën për dyshimet se po financon përpjekjet e luftës së Rusisë.
Zyrtari tha se Trump e bëri të qartë se lufta në Ukrainë nuk është lufta e tij, por se edhe evropianët duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund konfliktit.
Komisioni Evropian ka propozuar një ligj për heqjen graduale të importeve të naftës dhe gazit rus në BE deri më 1 janar 2028.
Një takim i “Koalicionit të Vullnetit” mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën u mbajt sot në Paris.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi pas takimit se 26 vende janë zotuar zyrtarisht për të vendosur forcat e tyre në Ukrainë “qoftë në tokë, det apo ajër”, si pjesë e garancive ndërkombëtare të sigurisë.