Trump ia publikoi mesazhin, deklarohet Rutte: Krejtësisht në rregull, është fakt ajo që thash

Shefi i NATO’s, Mark Rutte, është deklaruar rreth mesazhit që ia publikoi dje Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Rutte ka thënë se është “krejtësisht në rregull” që Trump ndau publikisht një mesazh lavdërues që ai i kishte dërguar, ndërsa po udhëtonte drejt Holandës për samitin e liderëve të mërkurën, duke theksuar se gjithçka që shkroi në atë mesazh ishte e vërtetë, shkruan CNN.

“Ajo që i thashë në mesazh, është krejtësisht në rregull që ai e publikoi,” tha Rutte teksa samiti po fillonte në Hagë. “Mendoj se është fakt.”

Ai hodhi poshtë pyetjen e një gazetari që sugjeroi nëse situata ishte disi e turpshme.

“Absolutisht jo,” tha ai.

“Ajo që është në atë mesazh është një deklaratë faktike dhe jam plotësisht në rregull që ai e ndau.”

Mesazhi, të cilin Trump e postoi në rrjetin e tij Truth Social teksa po fluturonte drejt Evropës të hënën, lavdëronte liderin amerikan për presionin ndaj vendeve anëtare të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

“Ti do të arrish diçka që asnjë president amerikan prej dekadash nuk ka mundur ta realizojë. Evropa do të paguajë në mënyrë të MADHE, ashtu siç duhet, dhe kjo do të jetë një fitore për ty,” shkroi Rutte, përpara se t’i uronte Trump-it udhëtim të mbarë drejt Holandës për samitin e NATO-s.

Gjatë të njëjtit udhëtim, Trump nuk shprehu mbështetje të plotë për nenin 5 të traktatit të NATO-s, që lidhet me mbrojtjen kolektive. Por Rutte tha se nuk ishte i shqetësuar.

“Për mua ka qartësi të plotë që Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të angazhuara ndaj NATO-s, plotësisht të angazhuara ndaj nenit 5, dhe po — ekziston edhe një pritshmëri, që do të përmbushet sot — që kanadezët dhe evropianët do të përshpejtojnë shpenzimet e tyre,” tha ai të mërkurën.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here