Nga Ani Chkhikvadze – WashingtonExaminer/
Kapja nga njësia Delta Force e ushtrisë amerikane e diktatorit venezuelas Nicolás Maduro nga kompleksi i tij shumë i fortifikuar në Karakas me 3 janar ishte një arritje e jashtëzakonshme ushtarake. Sistemi i famshëm rus i mbrojtjes ajrore S-300 ose nuk funksionoi, ose u shkatërrua brenda pak minutash. Reagimi i Kremlinit u kufizua vetëm në dënime verbale.
A mund ta vrasë Trump-i Ajatollahun?
Ky nuk ishte një rast i izoluar. Nga Karakasi në Kaukaz, arkitektura e ndikimit rus e ndërtuar ndër dekada po shembet. Rezistenca e Ukrainës ka konsumuar kapacitetin ushtarak të Moskës dhe ndërhyrjet e presidentit Donald Trump kanë nxjerrë në pah atë që ka mbetur: një fuqi në rënie, e paaftë të mbrojë aleatët e saj.
Siria i tregoi Trump-it se çfarë ishte e mundur, kur regjimi i aleatit të Rusisë, Bashar Assad, u rrëzua nga rebelët në një ofensivë jashtëzakonisht të shpejtë në dhjetor 2024. Assad, të cilin Moska e kishte mbështetur me kosto të mëdha për një dekadë, u arratis në Moskë. Ai u detyrua të ikte sepse Rusia, e ezauruar tej mase në Ukrainë, nuk mundi të bënte asgjë për të stabilizuar regjimin e tij.
Më pas erdhi Kaukazi i jugut, ku Rusia, që tradicionalisht kishte rolin e ndërmjetësit rajonal, u la plotësisht mënjanë. Me ndërmjetësimin e Trump-it, kryeministri armen Nikol Pashinyan dhe presidenti azerbajxhanas Ilham Aliyev nënshkruan një deklaratë të përbashkët për t’i dhënë fund konfliktit të tyre disa-dekadësh. Për më shumë se 30 vjet, Moska ishte pika kryesore për Jerevanin dhe Bakunë, duke dërguar paqeruajtës dhe duke u konsideruar si garantuesja e vetme e një konflikti që nuk donte ta zgjidhte dhe që e mbante si mjet presioni. Trump e uli praninë ruse në “oborrin e saj”, duke zëvendësuar paqeruajtësit rusë me një korridor nën mbikëqyrje amerikane, të quajtur “Rruga Trump për paqe dhe prosperitet ndërkombëtar”.
Së shpejti, Rusia mund të presë në Moskë edhe një tjetër lider aleat.
Teksa protestuesit iranianë dalin në rrugë në numër të madh, Trump ka kërcënuar me veprim ushtarak për t’i ndihmuar ata kundër shtypjes së regjimit. Regjimi i Liderit Suprem Ali Khamenei tani është në rrezik. Për dekada, Moska e ka furnizuar Iranin me armë të lehta të dizajnuara nga Rusia dhe mjete të blinduara të epokës sovjetike, të përshtatura për shtypje të brendshme, përfshirë pushkë të tipit Kalashnikov, mitralozë PKM dhe autoblinda të përdorura gjatë valëve të mëdha të protestave. Ajo i ka dhënë Teheranit jo vetëm ndihmë ushtarake, por edhe ekonomike e diplomatike. Irani ia ka kthyer nderin. Vlerësohet se Teherani i ka dërguar Moskës rreth 2.7 miliardë dollarë vlerë vetëm në raketa, së bashku me dronë Shahed që Rusia tani i kopjon, i prodhon vetë dhe i përdor në Ukrainë. Por, ashtu si me Venezuelën, Rusia nuk do të ketë tjetër zgjidhje veçse të shikojë në anën tjetër nëse Trump vendos të ndërhyjë ushtarakisht.
Ku është Rusia sot?
Ushtarët koreano-veriorë mund të jenë duke vdekur në lindje të Ukrainës, por Kina është aleati i vetëm vërtet i rëndësishëm që i ka mbetur Rusisë. Pekini ofron inteligjencë, komponentë për dronë dhe mbështetje ekonomike që e mbajnë në këmbë makinerinë ruse të luftës. Megjithatë, ky moment i dobësisë ruse mbart një paralajmërim. Nëse Moska del nga lufta në Ukrainë përmes një marrëveshjeje që i lejon të pretendojë fitore, atëherë Shtetet e Bashkuara do të përballen me një Rusi më të madhe dhe më të vendosur, të gatshme ta sfidojë sërish Uashingtonin globalisht.
Qoftë me qëllim apo rastësisht, veprimet e fundit të Trump-it kanë treguar se Rusia ka ndikim vetëm aty ku mungon Amerika. Trump ka zbuluar dobësinë e Moskës. Por mbetet pyetja: A do ta shfrytëzojë Amerika këtë mundësi strategjike dhe ta forcojë atë me një fitore në Ukrainë, apo jo?/ Washington Examiner – Syri.net
