Shtetet e Bashkimit Evropian janë pajtuar në parim rreth propozimeve për një fond me vlerë të 150 miliardë eurove me qëllim të fuqizimit të mbrojtjes së Evropës, tha të hënën një diplomat i BE-së.
Ky fond njihet si Veprimi i Sigurisë për Evropën (SAFE), raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Plani i propozuar nga Komisioni Evropian në mars do të financohet përmes borxheve të përbashkëta dhe me të do t’u jepen hua vendeve të BE-së dhe shteteve të caktuara të tjera si Ukraina për projekte që e fuqizojnë mbrojtjen e tyre dhe e forcojnë industrinë e armëve në Evropë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për një kohë të gjatë është ankuar se vendi i tij paguan barrë padrejtësisht të madhe për mbrojtjen e aleatëve dhe ka paralajmëruar se Uashingtoni nuk do t’i mbrojë ato shtete që shpenzojnë pak në këtë aspekt.