Në samitin e përfunduar në Tianjin të Kinës, një imazh bëri xhiron e botës: Vladimir Putin, Narendra Modi dhe Xi Jinping, krah për krah, duke shkëmbyer buzëqeshje dhe të qeshura.
Gazeta ruse Moskovsky Komsomolets e përshkroi këtë skenë si një “spektakël miqësie”, duke shtuar se “ariu rus, elefanti indian dhe dragoi kinez po përpiqeshin të ecnin në hap”, por pas këtij skenari fshihet një “Lojë e Madhe” dhe jo thjesht një vallëzim.
Rikthimi i “Trekëndëshit Primakov” Ky konfigurim diplomatik sjell në mendje idenë e ish-kryeministrit rus Yevgeny Primakov, i cili vite më parë propozoi krijimin e një boshti Moskë–Nju Delhi–Pekin për të balancuar dominimin amerikan. Në vetëm dy javë, kjo pamje ka zëvendësuar kujtimin e paradës së mesgushtit në Anchorage, ku Donald Trump priti Putinin me ceremoni zyrtare.
Nga Anchorage në Tianjin: ndryshimi i skenës Në SHBA, Putin ndau gjysmë dite me Trump, por në Kinë do të qëndrojë katër ditë – vizita e tij më e gjatë jashtë vendit në dy dekada. Në Tianjin, ai zhvilloi një bisedë të gjatë në limuzinën e tij “Aurus Senat” me Modin, duke e cilësuar kryeministrin indian si “mik të dashur”. Për të ilustruar afrimitetin, të dy ecën dorë për dore drejt Xi-së, një kontrast i dukshëm me shtrëngimet e forta të duarve me Trump pak ditë më parë.
Një aleancë e qëndrueshme ndaj presioneve perëndimore Nga skena e SCO-së, Putin përsëriti narrativën e tij se “kriza e Ukrainës” nuk nisi në shkurt 2022 me sulmin rus, por me “një grusht shteti të orkestruar nga Perëndimi në 2014” dhe me përpjekjet për ta futur Kievin në NATO. Ai falënderoi Kinën, Indinë dhe “partnerët strategjikë” për mbështetjen dhe nënvizoi se vetëm adresimi i “shkaqeve rrënjësore” mund të sjellë paqe të qëndrueshme.
Putini e bëri gjithashtu të qartë se as ultimatet e Trump dhe as tarifat e reja amerikane mbi importet ruse nuk do të trondisin boshtin e ri strategjik. Modi e cilësoi marrëdhënien me Moskën si një “partneritet të veçantë dhe të privilegjuar”, ndërsa Xi pritet të nënshkruajë disa marrëveshje të rëndësishme energjetike, përfshirë projektin e gazsjellësit “Fuqia e Siberisë 2”.
Një rrjet i ri miqësish
Përveç Modit dhe Xi-së, Putin zhvilloi takime me Erdoganin, i cili premtoi të vazhdojë ndërmjetësimin për paqe, si dhe me presidentin iranian Pezeshkian për programin bërthamor të Teheranit. Në ditët në vijim, ai do të takohet me presidentin serb Vuçiç, kryeministrin sllovak Fico dhe liderë të tjerë të vendeve afrikane e aziatike.
Samiti do të kulmojë me paradën ushtarake kineze ku Putini është i ftuar nderi, në një skenografi që synon të kujtojë se Rusia dhe Kina dikur luftuan bashkë kundër Japonisë – dhe sot, sipas mesazhit që duan të japin, mbeten të bashkuara përballë çdo kërcënimi të ri. Krahas tyre do të shfaqen edhe aleatë të tjerë, përfshirë Kim Jong-un, duke krijuar një tjetër trekëndësh simbolik, këtë herë me një ngarkesë sfiduese për Perëndimin.