Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas dështimit të seancës konstituive për të 23-në herë ka folur për protestën e sotme të bizneseve të Kosovës, të cilët po kundërshtojnë tregun e lirë energjetik për shkak se ende nuk janë të përgatitur.
Kreu i PDK-së tha se është për keqardhje që Kurti i krahason bizneset e Kosovës me bandat në veri për shkak të protestave, barrikadave.
“Me këtë rast PDK shpreh solidarizim me mbi 140 mijë punëtorë të mbi 1 mijë bizneseve kosovare që sot në masë të madhe janë duke protestuar simbolikisht në rrugë magjistrale që e rrethojnë Prishtinën për tu dëgjuar zëri i tyre që është injoruar nga Qeveria”, tha ai.
Sipas tij, vendimi që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë do të ketë pasoja që do ta paguajnë qytetarët e Kosovës.
“PDK nesër do të fillojë betejën ligjore për këtë rast. Ne kemi shpresuar se do ta shtyjnë vendimin, sepse e vërteta është se nuk ka treg të lirë…nuk mund të kesh treg të hapur kur e ke vetëm një kompani që shet rrymë”, u shpreh Krasniqi.
Sipas tij, ky vendim është dashur të shtyhet deri të krijohet tregu i lirë i vërtetë.
“Ne nesër do të bëjmë kundërshtimin administrativ në Zyrën e Rregullatorit për të vazhduar betejën ligjore deri në anulimin e këtij vendimi sepse është krim kundër ekonomisë së Kosovës”, u shpreh Krasniqi.