‘Terminatori’ gjeorgjian që lufton në Ukrainë me dorën bionike

Kur Shota Bitadze është kthyer në llogoret e Ukrainës, disa muaj pasi është plagosur rëndë, ai ka tentuar t’ua mbajë sekret ushtarëve tjerë shkallën e plagëve që ka përjetuar.

“Në fillim, askush nuk e ka vërejtur që kam mbetur pa gjymtyrë, sepse kam vendosur dorëzën në dorën protetike”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.Por, kur e kam tërhequr dorën time bionike, dhe ka bërë një zhurmë të çuditshme, djemtë kanë nisur të pyesin se çfarë po ndodh”.

Vetëm atëherë, luftëtari gjeorgjian ua ka treguar protezën e avancuar, në vlerë të dhjetëra mijëra dollarëve, e cila funksionon sikurse një dorë e shkathtë e njeriut, vetëm me ritëm më të ngadalshëm.

“Kur e kam larguar dorëzën dhe më kanë parë, të gjithë janë tronditur”, ka thënë ai.

Bitadze, 26 vjeç, është nga Kashuri, një qytezë në qendër të Gjeorgjisë. Ai ka punuar për një kompani ndërtimi, dhe një kohë si argëtues fëmijësh, para se Rusia të niste luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

“Kur lufta nisi, e ndjeva që duhet të kontribuoj me diçka”, kujton ai.

Në tri javët e para pas nisjes së konfliktit, ai ka qenë në Ukrainë dhe shpejt është bërë njëri prej qindra shtetasve të Gjeorgjisë që kanë luftuar në anën e Kievit.

Dora e djathtë e Bitadzes është shkatërruar në një shpërthim në lindje të Ukrainës, në mars të vitit 2023.

“Nuk i di hollësitë se çfarë ka ndodhur atë ditë, prandaj nuk do të flasë për të tani”, ka thënë ai.

Pas amputimit të krahut të tij deri poshtë bërrylit, Bitadze e ka vendosur një dorë bionike dhe është rehabilituar përmes Qendrës Superhumans, organizatë bamirëse në Ukrainë që u siguron gjymtyrë protetike personave që kanë nevojë.

“Humbja e dorës të krijon stres të madh”, ka thënë ai. “Por unë ia kam vendosur vetëm një synim vetes: të kthehem në fushëbetejë dhe të vazhdojë atë që kam nisur më 2022”.

Ai është kthyer në fushëbetejë në shkurt të vitit 2024, dhe shpejt e ka fituar nofkën ‘Terminatori’.

Max Ortiz-Catalan, profesor i bionikës, i ka treguar Radios Evropa Lirë se pavarësisht sa e avancuar mund të jetë gjymtyra protetike, personat që kanë përjetuar amputime janë në disavantazh.

“Është diçka shumë e guximshme që bëjnë ata”.

Ortiz-Catalan, që aktualisht është vullnetar në Ukrainë, duke iu ndihmuar personave që kanë ndonjë gjymtyrë të amputuar, ka thënë se sfida kryesore qëndron te besueshmëria e pajisjeve.

“Nëse jeni duke bërë diçka në shtëpi dhe dora juaj protetike ndalet së punuari, apo bën diçka më ndryshe prej asaj që pritet, mund të vonojë procesin dhe ta zemërojë personin. Mirëpo, kur jeni në front të luftës, pasojat mund të jetë katastrofike”.

Në disa video të shpërndara në llogaritë e Bitadzes në rrjete sociale, ai shihet duke gjuajtur me armë me dorën e tij bionike, dhe duke lëvizur nëpër llogore në vijën e frontit.

Luftëtari gjeorgjian beson se mund të gjuajë shumë saktë me dorën e tij bionike, nëse është në një pozicion të palëvizshëm. Mirëpo, kur situata bëhet kaotike në terren, “shembull kur duhet të ikësh apo t’i kushtosh më shumë vëmendje situatës”, proteza bëhet më pak e përdorshme.

Gjymtyra robotike që përdoret nga Bitadze, është e prodhuar në Gjermani dhe është e lidhur direkt me nervat e tij, çka i mundëson që muskujt e njëjtë që do t’i manipulonin dorën, i dërgojnë tani sinjale elektrike në gjymtyrën robotike.

Proteza që funksionon me bateri, i përkthen këto sinjale në lëvizje mekanike, përfshirë manipulimin e gishtërinjve.

Bitadze nuk është gjeorgjiani i vetëm që lufton në Ukrainë, edhe pse është përballur me plagë lufte.

Zurab Jibuti, prej legjionit gjeorgjian në Ukrainë, i ka humbur dy këmbët gjatë inkursionit në rajonin rus Belgorod, teksa ka luftuar afër forcave ukrainase më 2023. Prej atëherë, ai u është ribashkuar ushtarëve duke shërbyer si manipulues i mitralozit në një tanke.

“I jam kthyer shërbimit, sepse lufta nuk ka përfunduar dhe legjioni gjeorgjian ka nevojë për ushtarë me përvojë”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se gjëja më e vështirë për një ushtar që ka gjymtyrë të amputuar është “të dish që ke limite dhe që nuk mund të bësh atë që e ke bërë përpara – kufizime që janë fizike dhe jo mendore”.

Pryncyp, organizatë për të drejta të njeriut që përfaqëson ushtarët ukrainas, vlerëson se rreth 50.000 luftëtarë kanë të paktën një gjymtyrë të amputuar, si rezultat i plagëve të luftës.

Një raport i publikuar së fundmi për ushtarët që kanë pësuar plagë të rënda në Ukrainë ka treguar se pjesa më e madhe e tyre kanë vazhduar të luftojnë, ose janë rikthyer pas një kohe në front të luftës.

Në anën ruse, statistika të besueshme nuk ka, mirëpo zyrtarë të Kremlinit kanë thënë se gati gjysma e ushtarëve të plagosur rëndë kanë pasur nevojë për amputime.

Në disa video me përmbajtje shqetësuese janë parë disa rusë me paterica duke u dërguar në fushëbetejë.

Për Bitadzen, kthimi në front është vullnetar, dhe thotë se e ka të lehtë edhe të arsyetojë vendimin e tij.

“Vetëm u them se jam këtu për të njëjtat arsye që janë ata. Është e thjeshtë”, ka thënë ai.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here