Një incident i rëndë është raportuar të mërkurën pasdite në rrugën “Mikel Marku” në Pejë, ku një zyrtar policor jashtë detyrës është sulmuar fizikisht nga pesë persona të dyshuar.
Sipas policisë, sulmi ndodhi ndërsa viktima ishte duke rregulluar automjetin e tij në shoqërinë e një personi tjetër. Gjatë ngjarjes, një nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri, duke rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarit policor.
Megjithatë, viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor. Ndërkohë, një nga të dyshuarit ka pësuar lëndime pasi u sulmua me mjete të forta nga katër të dyshuarit e tjerë dhe ka kërkuar trajtim mjekësor.
Ai më pas është paraqitur në stacionin policor, ku gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa katër të dyshuarit e tjerë ndodhen ende në arrati. Policia po vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e tyre.