Pamjet e shpërndara në internet tregojnë qindra palestinezë që përpiqen të hyjnë në një qendër ndihme në Gaza, duke ngjitur një grumbull të madh dheu dhe duke u ngjitur në një gardh metalik. Pamjet janë filmuar të martën në perëndim të Rafah, dhe tregojnë situatën e tensionuar përpara një qendre që menaxhohet nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.
Në video shihen palestinezë që presin në një radhë pas gardhit, ku më pas vrapojnë për të hyrë dhe të marrin ndihmën që ofrohet.
GHF është një grup i ri dhe kontrovers që synon të anashkalojë OKB-në si furnizuesin kryesor të ndihmës për palestinezët. Ky sistem i ri ka shkaktuar kundërshtime nga OKB dhe organizata të tjera humanitare, të cilat thonë se ai bie ndesh me parimet e neutralitetit, paanshmërisë dhe pavarësisë.
Një aktivist izraelit kundër luftës, Alon Lee-Green, shpërndau videon dhe e përshkroi situatën si “apokaliptike”. Ai e quajti këtë skenë “ferrin që krijuam në Gaza”, duke thënë se kjo është mënyra se si duket dehumanizimi i miliona njerëzve që përballen me urinë dhe kushte ekstreme.