Shkruan: Atdhe Gjoci
Në tragjedinë antike greke, Teba u rrënua jo nga një armik i jashtëm, por nga helmi i përçarjes vëllavrasëse. Eteokli dhe Poliniku, bijtë e Edipit, zgjodhën të sakrifikojnë gjithçka me vlerë, qytetin, popullin, familjen dhe vetë jetët e tyre, për një betejë egoiste se cili do të ulej në fron. Kjo jehonë tragjike, ky arketip i vetëshkatërrimit për hir të pushtetit, gjen një rezonancë therëse në panoramën e sotme politike mbarëshqiptare, ku kauza sublime e Kosovës rrezikon të bëhet dëm kolateral në një luftë të profanizuar për supremaci personale.
Në këtë teatër modern, Edi Rama shfaqet si një mjeshtër i populizmit, një aktor politik që e ka kthyer demagogjinë në art. Lëvizjet e tij politike ngjasojnë me metamorfozat e një dragoi që ndryshon lëkurë varësisht nga flakët që nxjerr nga goja. Paradoksi është flagrant: I njëjti njeri që në vitin 2015 ishte një mbështetës titanik i themelimit të Gjykatës Speciale, sot del nga letargjia e interesit gjeopolitik për të veshur petkun e heroit, duke tentuar të përvetësojë protestën që po mbahet në Tiranë për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje, kur në vitin 2018 pati një tentim në Kuvendin e Kosovës për ta shpërbërë pikërisht këtë gjykatë, Edi Rama u zgjua përseri dhe nuk hezitoi t’i krahasonte Kadri Veselin, Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn me “Lopën që derdh qumështin”.
Kjo lëvizje e Ramës nuk është një zgjim i ndërgjegjes kombëtare, por një zhvendosje strategjike e karremit në një tjetër moçal. Kosova në këtë rast, shërben si një “Perde para gogolit”, një mbulesë e përsosur për të kamufluar realitetin e brendshëm në Shqipëri siç janë korrupsionin, krimi organizuar, marrëdhëniet me perendimin dhe dashurin për Vuçiqin dhe Bregociçin.
Dikur Haradinajn e quajti gomar vetëm pse e kundërshtonte Thaçin për ndryshim të kufijëve, më vonë edhe gënjeshtar dhe e krahasonte me ‘Tregtar mishi’ vetëm pse Haradinaj nuk ia hoqi taksën Serbisë në 2019-ën.
Dhe po ne atë kohë ai ishte një përkrahës i flaktë i Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e quante “Pasuri kombëtare”. Ishte i pakënaqur me Thaçin pse nuk ia pëlqeu “Ballkanin e Hapur”; Bënte gjyq politik mbi presidentin Rugova, për ta lavdëruar më vonë në varësi të interesit të çastit. Vula e këtij udhëtimi kontradiktor është fakti se po në vitin 2015, kur erdhi në Prishtinë dhe shpalosi përmendoren e Ismail Qemalit, ai u zotua se do të punonte fort për bashkimin kombëtar. Sot, në vjeshtën e vitit 2025, thotë se ky bashkim është “Përrallë”. Këto veprime dëshmojnë se busulla e tij morale orientohet jo nga ylli polar i kombit, por nga graviteti i interesit personal.
Nga ana tjetër, reagimi hakmarrës dhe i ultë i Vetëvendosjes ndaj këtij oportunizmi është po aq problematik. Në një moment kur duhej unitet strategjik dhe maturi stoike, akuza ishte një shpërthim që i shërben vetëm egos politike dhe thellon hendekun. Kjo përplasje na sjell ndërmend një tjetër metaforë: Atë të një të humburi që pretendon t’u mësojë të tjerëve si të gjejnë rrugën. Ky konflikt i brendshëm vërteton një të vërtetë të hidhur: Më shumë se armiku i jashtëm, ne po tresim njëri-tjetrin. Largimi ynë nga njëri-tjetri, me apo pa agjentura, me apo pa dije, po na shndërron në aktorë të tragjedisë sonë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është ushtria më e pastër në historinë moderne të luftërave çlirimtare, nuk kishte nevojë as për një gjykatë të krijuar mbi premisa të dyshimta, e as për protesta që mund të keqinterpretohen dhe të shfrytëzohen si patriotizëm brenda çadrës së sulltanit në Tiranë. A shërbejnë vërtet këto manifestime për të ndërgjegjësuar një trup gjykues, i cili tashmë perceptohet si i anshëm dhe i ndikuar nga forca anti-UÇK? Apo, përkundrazi, rrezikojnë të prodhojnë efektin e kundërt, duke u përdorur si argument për të justifikuar një “Presion” të jashtëm dhe për të forcuar vendime të paracaktuara? Rruga e duhur nuk kalon as nga populizmi i Tiranës dhe as nga reaktiviteti i Prishtinës. Rama dhe Kurti, para se të garonin se kush e mbron më zëshëm kauzën në sheshe, duhej të kishin themeluar një trup të përbashkët ekspertësh për të monitoruar në mënyrë rigoroze dhe diskrete procesin gjyqësor, duke ndërmarrë veprime konkrete brenda kapaciteteve shtetërore.
Në fund, ashtu si në Tebë, kur dy vëllezërit luftojnë për fron, qyteti është ai që digjet. Froni për të cilin luftohet sot në agorën shqiptare është ai i “Liderit të kombit”, por çmimi i kësaj beteje mund të jetë vetë substanca e kauzës kombëtare. Rreziku më i madh nuk është verdikti që do të dalë nga Haga, por gjykimi që do të na japë historia për këtë paaftësi tragjike për të dalluar afrimin e armikut nga hija e vëllait.
Në betejën përfundimtare, Eteokli dhe Poliniku u përballën drejtpërdrejt në fushëbetejë. Sipas mitit, ata vranë njëri-tjetrin me shpatat e veta, duke përmbushur mallkimin e Edipit. Pas vdekjes së tyre, mbreti i ri i Tebës, Kreonti (xhaxhai i tyre), urdhëroi që Eteokli, si mbrojtës i qytetit, të varrosej me nderime, ndërsa Polinikut, si tradhtar, t’i ndalohej varrimi. Por motra e tyre, Antigona, nuk e pranoi këtë padrejtësi dhe, në shenjë dashurie për vëllain, e varrosi fshehurazi trupin e Polinikut duke sfiduar ligjin e mbretit.
PS
Pyetja që shtrohet sot është: Kush do të jetë Antigona jonë? Ajo që, përtej betejave për fron, do të nderojë të vërtetën e përbashkët dhe sakrificën sublime të kombit, duke e varrosur simbolikisht urrejtjen vëllavrasëse?