Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar për sulmin terrorist të 29 tetorit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Zëdhënësi i DASH’it, Matthew Miller, në platformën ‘X’ ka thënë se Departamenti i Shtetit dënon këtë sulm dhe se do të ofrojnë mbështetje në ndëshkimin e përgjegjësve, shkruan Insajderi.
“Dënojmë sulmin e 29 nëntorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit dhe do të vlerësojmë të gjitha ofertat e mbështetjes për këtë përpjekje. Falënderojmë punonjësit e emergjencës dhe të tjerëve, përfshirë KFOR-in për rivendosjen e furnizimeve kyçe”, thuhet në deklaratën e Miller në ‘X’.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ShBA-ja e dënon fuqishëm shpërthimin që ndodhi në kanalin e ujit në Ibër Lepenc.
Në një reagim në platformën X, ai ka thënë se janë duke e monitoruar nga afër situatën dhe se e mbështesin një hetim të plotë dhe i kanë ofruar mbështetje Qeverisë së Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal të ujit në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës”, ka pohuar Hovenier.
“Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.