Gjermania ka thënë se Bashkimi Evropian duket të kundërpërgjigjet me vendosmëri ndaj taksës së re prej 25 për qind që presidenti amerikan, Donald Trump, do ta vendosë ndaj veturave të importuara në ShBA. Me qëndrim të ngjashëm doli edhe Franca.
Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, tha se Bashkimi Evropian duhet t’u “kundërpërgjigjet në mënyrë të vendosur” taksave të reja nga Shtetet e Bashkuara, raporton televizioni BBC.
“Duhet të jetë e qartë se ne nuk do të dorëzohemi para ShBA-së. Ne duhet të tregojmë fuqi dhe vetëbesim” – shtoi ministri gjerman.
Franca e mbështeti këtë qasje të përbashkët. Ministri i Financave, Eric Lombard, tha se “zgjidhja e vetme” e Evropës është që të hakmerret me taksa ndaj produkteve amerikane.
“Jemi në një situatë ku po vihemi në shënjestër. Ose e pranojmë këtë, me ç’rast kjo nuk do të ndalet kurrë, ose kundërpërgjigjemi” – deklaroi ministry francez.
Ai e theksoi nevojën për ta “ribaraspeshuar fushën e lojës” në mënyrë që Shtetet e Bashkuara “të detyrohen për të negociuar”.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, i quajti taksat e reja amerikane “sulm të drejtëpdrejtë” ndaj vendit të tij dhe industrisë kanadeze të veturave, duke shtuar se ato “do të na lëndojnë”, por se po diskutoheshin opsione tregtare.
Ndërkohë, Kina e ka akuzuar presidentin Trump për shkelje të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.
“Nuk ka fitues në një luftë tregtare ose në një luftë taksash. Zhvillimi dhe mirëqenia e asnjë shteti nuk është arritur përmes vendosjes së taksave” – tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.