Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër pas vrasjes së trefishtë që ndodhi të dielën në Gjilan, ku tre persona janë shpallur në kërkim.
Ai tha se është jashtëzakonisht i indinjuar me mënyrën si Prokuroria dhe Gjyqësori po trajtojnë raste të tilla, duke lejuar që të dyshuarit të qëndrojnë të lirë.
“Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde. Neglizhenca dhe tolerimi nga sistemi i drejtësisë po na çojnë në situata të tilla,” shkroi Sveçla, duke shtuar se është momenti i fundit që institucionet të reflektojnë dhe të mos ketë tolerim për asnjë kriminel.
Ai theksoi se qytetarët duhet të ndihen të sigurt nga shteti dhe jo të jetojnë me frikë.
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, bëri të ditur se i dyshuari kryesor për këtë vrasje, Mefail Shkodra, ka gjithsej 31 vepra penale në dosjen e tij.