Alivanosje e fraktura nëpër gjymtyrë, ishin disa nga pasojat që i pësuan nxënës të shkollave të ndryshme, derisa u bënë pjesë e sfidës virale të platformës “TikTok” – “SUPERMENI”.
Së fundmi këtë sfidë e realizuan nxënës të shkollave të Vushtrrisë.
Për këtë shkak, të hënën 15 minutat e orës së parë iu kushtuan këtij fenomeni, i cili po vlerësohet të jetë i rrezikshëm për fëmijë.
“Në manual, ka pasë informata qysh nxënësit problematikë kërkojnë që të përfshihen të gjithë në atë lojë, e kemi pa të arsyeshme që klasat që nuk përfshihen janë me vetëdije të plotë”, tha Astrit Izmaku, drejtor i shkollës “SHMU1”.
Për parandalimin e kësaj sfide dhe veprimet e ardhshme që duhet të ndërmerren, përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, të hënën janë takuar edhe me zyrtarë policorë.
Sipas drejtorit të arsimit, Albanez Tahiraj, problemi është më i thellë sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale.
“Nxënësit po ndikohen edhe në ambiente familjare e fqinjësore, por ne po tentojmë që preventivën me e bë sa janë në shkollë”, tha Tahiraj.
Përfshirjen e fëmijëve nëpër këto sfida, psikologu Naim Telaku e sheh edhe si vetëmbrojtje të tyre. Sipas tij, frika dhe bullizimi janë disa nga arsyet pse ata bëhen pjesë e realizimit të këtyre sfidave.
“Fëmijët dhe adoleshentët e kanë trurin jo të mjaftueshëm, pa zhvilluar për ta ndaluar veten dhe disa impulse. Fëmijët më lehtë rrezikojnë me shëndetin e tyre, sesa me pas përjashtim social”, tha Telaku.
Kjo është sfida e tretë që provohet nga nxënësit e shkollave në vend, pas asaj të vetëlëndimit dhe të alivanosjes.
Madje, numri i saktë i përdorimit të kësaj platforme nga të miturit nuk dihet ngase, për qasje në Tik Tok, jo detyrimisht nevojitet një llogari.
Përdorimi i platformës TikTok është i ndaluar në institucionet qeverisëse. /atvlive.tv