Departamenti për Ujë dhe Politika Mjedisore në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj menaxhimi teknik të situatës nga ana e Qeverisë së Kosovës, pas sulmit terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Sipas tyre, veprimet e qeverisë pas sulmit kanë lënë shumë për të dëshiruar.Ky departament vlerëson se disa deklarata përfshirë ato të Ministrisë së Shëndetësisë kanë ngjallur panik tek qytetarët e Kosovës.
“Gjatë kësaj periudhe, bazuar në informacionet e transmetuara nga mediumet tona, kemi vërejtur disa deklarata nga institucionet shtetërore, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, lidhur me cilësinë e ujit në kanalin Ibër-Lepenc. Kjo ministri, menjëherë pas sulmit, deklaroi se uji që kalon në kanalin Ibër-Lepenc aktualisht nuk është i pastër për pije. Vlerësojmë se deklarata të tilla të pamatura kanë shkaktuar panik dhe konfuzion të panevojshëm tek qytetarët, veçanërisht tek ata që furnizohen nga Liqeni i Ujmanit. Është e njohur se uji që kalon në këtë kanal nuk është i përshtatshëm për konsum të drejtpërdrejtë dhe gjithmonë trajtohet në impiantet përkatëse, si ato në Mitrovicë, Vushtrri dhe Shkabaj në Prishtinë, përpara përdorimit për pije”, thuhet në reagim.
Dhe kjo sipas AAK-së është bërë vetëm për shkak të mos komunikimit të qeverisë me institucionet kredibile për këtë fushë.
“Në këtë periudhë sfiduese, kërkojmë nga institucionet përkatëse që të rrisin bashkëpunimin me ekspertët e fushës dhe të përqendrohen te ndërtimi i një sistemi menaxhimi të sigurt dhe profesional për infrastrukturën kritike. Qytetarët duhet të informohen me saktësi dhe qetësi, duke siguruar një qasje transparente dhe të përgjegjshme. Vetëm përmes angazhimit profesional dhe bashkëpunimit institucional mund të garantohen siguria dhe mirëqenia e qytetarëve”.