Reagimet ndaj sulmit izraelit në Iran kanë qenë të menjëhershme. I pari që ka reaguar ka qenë sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, i cili nxitoi të nënvizonte se, Izraeli kishte ndërmarrë një sulm të njëanshëm ndaj Republikës Islamike dhe se Amerika nuk ishte e përfshirë.
“Izraeli na njoftoi se e konsideronte këtë veprim të nevojshëm për mbrojtjen e tij. Presidenti Trump dhe administrata kanë marrë të gjitha masat për të mbrojtur forcat tona dhe për të mbetur në kontakt me aleatët”, ka thënë Rubio.
Shefi i diplomacisë amerikane ka paralajmëruar Iranin që të mos vërë në shënjestër interesat, qytetarët, apo personelin amerikan të selive diplomatike.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer i ka bërë thirrje Iranit dhe Izraelit që të tërhiqen dhe të ulin “urgjentisht” tensionet.
“Përshkallëzimi nuk i shërben askujt në Lindjen e Mesme. Stabiliteti në rajon duhet të jetë prioritet dhe ne po punojmë me partnerët për ta çtensionuar situatën”, ka thënë Starmer.
“Tani është koha për vetëpërmbajtje, qetësi dhe rikthim tek diplomacia”, ka shtuar ai.
Në të njëjtën linjë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka deklaruar se dënon çdo përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme.
“Është detyrim i vendeve anëtare të OKB-së të veprojnë në përputhje me statutin e Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar”, ka thënë Guterres përmes zëdhënësit të tij.
Ndërkohë, lideri suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei ka deklaruar se Izraeli duhet të presë një “ndëshkim të ashpër” si përgjigje ndaj sulmeve.