Mbi 20 anije, 25 avionë dhe rreth 3 mijë ushtarë të forcave të armatosura ruse po kryejnë një stërvitje në detin Baltik.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shtypit e Flotës Ruse përmes një komunikate, të cilës i referohet agjencia “Interfax”.
Sipas njoftimit, në stërvitje janë përfshirë mbi 20 anije luftarake, varka dhe anije furnizimi, mes të cilave një fregatë dhe një korvetë anti-nëndetëse.
Gjithashtu, krahas 25 avionëve janë angazhuar edhe helikopterë dhe 70 lloje pajisjesh ushtarake speciale.
Lëvizja e ushtrisë ruse vjen pak ditë pasi Gjermania dërgoi një kontingjent trupash ushtarake në Letoni, për t’i bërë ballë kërcënimit rus.
Duke reaguar ndaj vendimit të fundit të Berlinit, që lejoi Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi në territorin rus, Moska ka paralajmëruar se raketat gjermane do të kenë të njëjtin fund me atë të tankeve “Leopard”.
“Berlini do të vazhdojë rënien e mëtejshme në varrin ku ndodhet prej kohësh regjimi i Kievit të cilin e mbështet”, ka deklaruar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Ajo ka shtuar se asnjë armatim gjerman apo evropian nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë kursin e operacionit special ushtarak të Rusisë në Ukrainë.