Është njëra prej pajisjeve që shërben për ta neutralizuar rrezikun pa pasur nevojë të përdoret arma. Por, policët e Kosovës, spërkatësin kimik e kanë me afat të skaduar, dëshmon një raport i Inspektoratit Policor.
“Policët e Kosovës ishin të pajisur me armë brezi, pranga, elektrik dore dhe spërkatës kimik dhe uniformat ishin të rregullta, por si problematikë u konstatua se spërkatësi në të gjitha rastet ka qenë me afat të skaduar, që nga dhjetori i vitit të kaluar”, thuhet në raportin e AMP & IPK.
Përdorimi i spërkatësit me afat të skaduar vlerësohet të jetë shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.
Teksa u kërkua zgjidhje e shpejtë e problematikës, institucionet përkatëse u fajësuan për faktin se pjesëtarët e Policisë kanë mungesë të pajisjeve adekuate.
Inspektorati Policor edhe më parë gjatë inspektimit në stacione ka hasur spërkatës kimikë dhe jelekë antiplumbë me afat të skaduar. /atvlive.tv