Katër ditë pasi Gjykata Kushtetuese i dha dritë jeshile kthimit në detyrë të zv.kryeministres së pezulluar nga Gjykata e Posaçme, Belinda Balluku, SPAK kërkoi autorizim për arrestimin e saj.
Struktura e Posaçme njoftoi zyrtarisht pasditen e së martës se i ka kërkuar Kuvendit të Republikës heqjen e imunitetit të zv.kryeministres.
Ndryshe nga masat e para të caktuara ndaj Ballukut, “pezullimin nga detyra” dhe “ndalimin e daljes jashtë shtetit”, për kërkimin e masave “arrest në burg”, ose “arrest në shtëpi” SPAK duhet të marrë më parë miratimin e Kuvendit. Sipas SPAK, dhënia e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes, ministres së Infrastrukturës dhe zv.kryeministres, është kërkuar për llogari të hetimit ndaj saj për veprën penale të “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, të dyshuar si të kryer në procedurën prokururese të “Ndërtimit të tunelit të Llogarasë”.
Por, në një kohë që masat e para ndaj numrit 2 të qeverisë Rama ishin marrë për këtë hetim dhe dyshimet se e njëjta vepër ishte konsumuar në procedurën për “Ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti4”, SPAK njoftoi rëndimin e pozitës penale të Ballukut.
Sipas Strukturës së Posaçme, zv.kryeministrja ka marrë cilësinë e personit nën hetim, si e dyshuar për të njëjtën vepër penale edhe në 6 procedura tenderuese të tjera, në lote të ndryshme të Unazës së Jashtme Tiranë.
Ndërsa do të presë vendimarrjen e Kuvendit për dhënien ose jo të miratimit për arrestimin e saj, më 18 dhjetor, Apeli i Posaçëm shqyrton ankimin e saj kundër dy masave të para, ndësa më 22 janar, Kushtetuesja shqyrton ankimin e bërë nga kreu i qeverisë Edi Rama për pezullimin e zëvendëses së tij nga Shkalla e Parë.
Të premten e 19 dhjetorit, Këshilli i Mandateve do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme SPAK, i cili ka kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe autorizimin për, siç thuhet në kërkesë, heqjen e lirisë ndaj saj.
Por, Edi Rama nuk ka pritur gjatë dhe sapo SPAK bëri publike kërkesën, iu përgjigj prokurorëve flakë për flakë me një postim në X, duke e nisur fjalinë me një kritikë për arrestet në burg ose në shtëpi, duke i cilësuar të turpshme: “Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur sesa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht”.
Kreu i qeverisë thekson se kjo situatë kërkon përgatitje, por nuk harron të kujtojë 83 mandatet që shqiptarët i kanë dhënë në zgjedhjet e fundit: “Por, sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtës”.
Kërkesa e SPAK ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për vijimin e procedimit ligjor ndaj zyrtares së lartë, në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe ligjore për deputetët dhe anëtarët e qeverisë. Përveç mbledhjes së Këshillit të Mandateve, kjo do të kërkojë një seancë shtesë të Kuvendit për votim brenda dhjetorit të këtij viti.
