“Si të niste luftë të re”: Grenelli e djali i Trumpit kundër vendimit të Bidenit për raketat dhuruar Ukrainës

Vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për ta lejuar Ukrainën që të përdorë armë të prodhimit amerikan për të sulmuar thellë brenda Rusisë ka nxitur reagime – siç pritej – në Rusi, por jo vetëm atje. Përpos në shtetin armik, kjo masë u kundërshtua edhe nga figura të njohura në ShBA, përfshirë djalin e presidentit në ardhje, Donald Trump – Donald Trump Jr.

Masa e re nga Bideni u mor dy muaj para se në krye të Shtëpisë së Bardhë të vendoset Trumpi. Inaugurimi i presidentit të ri do të bëhet më 20 janar. Vendimi gjithashtu erdhi pas shumë thirrjeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që forcat e vendit të tij të lejohen që të përdorin armë amerikane për të goditur caqe ushtarake ruse larg kufirit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sidoqoftë, vendimi nxiti reagime. Një deputete ruse tha më herët të hënën se vendimi i Bidenit rrezikon një luftë të tretë botërore dhe se shpreson që presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do ta anashkalojë vendimin.

Kundër vendimit doli edhe djali i Trumpit, Donald Trump Jr, i cili të dielën pretendoi se ndihmat e reja amerikane për Ukrainën janë përpjekje e administratës së Bidenit për ta filluar luftën e tretë botërore para se babai i tij ta marrë pushtetin në janar.

Duke shkruar në rrjetin X, Trump Jr pretendoi se “kompleksi ushtarak-industria” po mundohet që ta minojë babanë e tij para se ai ta marrë pushtetin duke e shtyrë luftën në Ukrainë më tej drejt kaosit.

“Kompleksi Industrial Ushtarak duket se dëshiron që të sigurohet që të fillohet Lufta e Tretë Botërore para se babai im të ketë një mundësi për të krijuar paqe dhe për të shpëtuar jetë” – shkroi ai në rrjetin X, duke i quajtur “imbecilë” zyrtarët e administratës së Bidenit, pa përmendur emra.


Kundër vendimit doli edhe ish-drejtori për inteligjencë kombëtare dhe ish-emisari për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

“Askush nuk parashikoi që Joe Biden do ta ESKALONTE luftën në Ukrainë gjatë periudhës kalimtare. Kjo është sikur ai të niste një luftë tërësisht të re. Gjithçka ka ndryshuar tani – të gjitha përllogaritjet e mëparshme janë të pavlefshme. Dhe e tëra për politikë” – shkroi Grenelli në rrjetin X.

Në një postim tjetër në rrjetin e njëjtë, ai shkroi “Eskalim i luftës para se të largohet nga pushteti”, duke iu referuar qartazi presidentit në largim, Joe Biden.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në adresimin e mbrëmjes se raketat amerikane “do të flasin vetë”.

“Sot, shumë njerëz në media po thonë se e kemi marrë lejen për të ndërmarrë veprime të duhura, por sulmet nuk bëhen me fjalë. Gjëra të tilla nuk njoftohen” – shtoi ai.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i ShBA-së refuzuan që të komentonin. Nuk pati as kundërpërgjigje të menjëhershme nga Kremlini, i cili më parë ka paralajmëruar se lehtësimin e kufizimeve për përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina do ta shihte si eskalim domethënës.

Vladimir Dzhabarov, nënkryetar i parë i komisionit për çështje ndërkombëtare në dhomën e lartë të Kuvendit të Rusisë, tha se vendimi i Uashingtonit për ta lejuar Kievin që të sulmojë thellë brenda Rusisë mund të çojë në “Luftë të Tretë Botërore”.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here