Si do të kompletohet raporti i IML-së për Agon Zejnullahun? Laboratori i Toksikologjisë jashtë funksionit që disa muaj

Rasti i të riut Agon Zejnullahu në Lipjan, ka shkaktuar reagime të mëdha në opinionin publik në Kosovë. Megjithatë, shumë nga ata që po reagojnë, kërkojnë durim dhe pritje për raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

U raportua se raporti fillestar i IML-së ishte dorëzuar, megjithatë një gjë e tillë ende mbetet e pakonfirmuar.

Finalizimi i raportit final të Mjekësisë Ligjore për Agon Zejnullahun, mund të vonojë. Kjo pasi një nga laboratorët më të rëndësishëm në IML, është jashtë funksionit.

Nacionale ka mësuar nga burime të afërta me zhvillimet se Laboratori i Toksikologjisë është jashtë funksionit tash e sa muaj, që kur objekti i IML-së ishte djegur.

Ky laborator është tejet i rëndësishëm, pasi aty bëhen analizat dhe sigurohen rezultatet për analizimin e substancave të ndryshme në trupin e njeriut.

Në këtë rast, këto analiza do të dëshmonin për praninë e sasisë së alkoolit apo drogave që kanë mundur të jenë në trupin e Zejnullahut. Kjo pasi Policia kishte thënë se ai ka qenë i dehur, e më pas tha se i kanë gjetur edhe drogë.

Megjithatë, këto analiza janë pjesë e raportit, dhe nuk e tregojnë shkakun e vdekjes.

“Nuk është në funksion prej kur është djeg objekti, krejt objekti tash është në renovim, laboratori është jashtë funksionit, se janë tu u renovu krejt hapësirat”, ka thënë një burim për Nacionalen.

Burimet i kanë thënë Nacionales se që nga djegia e objektit të IML-së, analizat kohëve të fundit janë dërguar në Maqedoni të Veriut.

“Varësisht me kënd ka marrëveshje, herave të fundit janë dërgu në Maqedoni të Veriut. Diçka që është teknike”, thanë më tutje këto burime.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, deklaroi për Evropën e Lirë, se bazuar në informacionet që kanë, rezultatet e autopsisë dëshmojnë se Agon Zejnullahu ka vdekur nga ngufatja.

“Në bazë të informatave që na kanë ardhur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, del se autopsia ka përcaktuar se viktima është ngufatur nga policia. Do të thotë, policët kanë ndikuar – në njëfarë mënyre – në vdekjen e të riut”, thotë.

Raportimi i Nacionales konfirmohet edhe nga një vizitë që ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu, e pati para disa javësh në IML, në objektin ku po zhvillohen punimet.

“Sot nga afër përcjellëm punimet e renovimit të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Për herë të parë që nga viti 2005 po bëhen renovimet në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në vlerë prej rreth 1 milion euro. Shpreh mirënjohjen time për secilin që ka kontribuar në jetësimin e këtij projekti madhor dhe aq të rëndësishëm. Renovimi po realizohet në përputhje të plotë me standardet më të larta profesionale dhe teknike, me qëllim të krijimit të kushteve moderne për punë, si dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore në fushën e mjekësisë ligjore”, shkruante ajo.

Mbetet të shihet se për sa kohë do të hartohet raporti final i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here