Presidenti amerikan, Donald Trump, do ta godasë më fort Iranin, nëse Teherani nuk pranon që është “mposhtur ushtarakisht”, tha të mërkurën sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
“Presidenti Trump nuk bën blof dhe ai është i përgatitur për ta ndërsyer ferrin. Irani nuk duhet të bëjë llogari të gabuar përsëri” – tha ajo në një konferencë për gazetarë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Nëse Irani dështon që ta pranojë realitetin e çastit të tanishëm, nëse ata dështojnë që të kuptojnë se janë mposhtur ushtarakisht, dhe do të vazhdojnë të jenë [të mposhtur ushtarakisht], presidenti Trump do të sigurohet që ata të goditen më fort se që janë goditur ndonjëherë më parë” – paralajmëroi zonja Leavitt.
Përderisa lufta e përbashkët amerikano-izraelite kundër Iranit ka hyrë në javën e katërt, janë bërë përpjekje nga disa shtete si Pakistani, Turqia e Egjipti për të ndërmjetësuar mes palëve.
Një zyrtar i lartë iranian i tha agjencisë “Reuters” të mërkurën se Irani ende është duke e analizuar propozimin amerikan për përfundimin e luftës, pavarësisht një përgjigjeje fillestare që ishte negative, duke dhënë shenjë se Teherani nuk e ka refuzuar propozimin menjëherë dhe plotësisht.
Leavitt tha se bisedimet ende ishin duke u zhvilluar. “Bisedimet vazhdojnë. Ato janë produktive, siç tha presidenti të hënën, dhe vazhdojnë të jenë [produktive]” – tha ajo.
Duke cituar burime të paidentifikuara, mediat të martën raportuan se Uashingtoni i ka dërguar Teheranit një plan 15-pikësh për t’i dhënë fund luftës. Leavitt tha të mërkurën se disa elemente të këtyre raportimeve nuk ishin plotësisht të sakta, por nuk dha hollësi.
“Shtëpia e Bardhë kurrë nuk e konfirmoi atë plan të plotë. Ka elemente të së vërtetës në të, por disa nga artikujt që i kam lexuar nuk ishin tërësisht me fakte, prandaj unë nuk do të negocioj në emër të presidentit këtu në podium” – tha ajo.
