Një tjetër incident i rëndë në Mesdhe ka rikthyer vëmendjen mbi të ashtuquajturën “flotë hije” të Rusisë.
Një cisternë nafte me emrin “Vilamoura”, që kishte bërë dy ndalesa në porte ruse, më 7 prill në Ust-Luga në Detin Baltik dhe në fund të majit në Novorossiysk, ka shpërthyer papritur në ujërat pranë Libisë, ndërsa mbante rreth 1 milion fuçi naftë.
Sipas kompanisë greke që menaxhon anijen, TMS Tankers, “Vilamoura” është aktualisht në tërheqje drejt Greqisë për të vlerësuar dëmet.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të mëdha.
Sipas raportimeve, në natën mes 26 dhe 27 qershorit, anija devijoi papritur nga itinerari i deklaruar.
Të nesërmen në mëngjes, një rimorkiator anti-zjarr, “Boka Summit”, u dërgua në vendin e incidentit, për të cilin ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi.
E vetmja gjë e konfirmuar është se shpërthimi përmbyti dhomën e makinerive, duke krijuar rrezik serioz për mjedisin dhe për ekuipazhin.