Disa persona janë lënduar nga një shpërthim që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit në repartin e kapsollave të fabrikës ushtarake “Krushik” në Valevë të Serbisë.
Sipas informacioneve jozyrtare nga Spitali i Valevës, janë lënduar shtatë persona, të cilët kanë marrë lëndime të lehta.
Shpërthimi ka ndodhur në orën 07:30, dhe për momentin nuk ka informacion se si ka ndodhur ngjarja, shkruan danas.rs.
Ky është edhe një incident tjetër në vargun e aksidenteve në këtë fabrikë. Incidenti i mëparshëm ndodhi më 3 gusht 2024, kur, sipas njoftimit të drejtuesve, tre persona u lënduan lehtë gjatë punës me kapsolla në repartin e minave.
Asokohe, shumë media raportuan se shtatë punëtorë u lënduan pas një shpërthimi të minës, por fabrika deklaroi se ngjarja “nuk kishte përmasa më të gjera” dhe se ishte shmangur një dëm më i madh në njerëz dhe materiale.
Ky ishte i pesti i ashtuquajtur “aksident” në Krushik gjatë dy viteve të fundit. Në gusht 2022, gjithashtu në repartin e kapsollave, ndodhi një shpërthim gjatë aplikimit të llakut, dhe u lëndua një punëtore.
Në dhjetor të të njëjtit vit, në repartin e ndezësve një makinë i lëndoi dorën një punëtoreje, ndërsa në janar 2023 dy punëtore u lënduan nga një shpërthim teknologjik në repartin e kapsollave. Një tjetër shpërthim ndodhi në muajin maj të po atij viti në repartin e laboratorëve, kur u lëndua një punëtore tjetër.
Në faqen zyrtare të fabrikës janë publikuar vetëm lajme të shkurtra për këto incidente, por deri më tani nuk janë publikuar rezultatet e asnjë hetimi, nuk janë zbuluar shkaqet, dhe nuk është bërë e ditur nëse ndokush ka mbajtur përgjegjësi.
Duke marrë parasysh praktikat e deritanishme, mbetet e paqartë nëse publiku do të njoftohet për shkakun e shpërthimit të sotëm, ku u lënduan shtatë persona.