Kompania “Timak” ka prezantuar prototipin e makinës së parë të blinduar ushtarake, të prodhuar në Shqipëri.
Vetura ishte paralajmëruar para tre javësh nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi. Ai pati treguar se ekipi i “Timakut” përbëhet nga një ekip që ka 75 për qind vajza të reja.
Sipas njoftimit të tij, kjo kompani eksporton makina në 20 shtete të botës.
E në prezantimin e prototipit në një video në rrjete sociale tregohet se emri i veturës së parë të tillë është “Shota”.
“SHOTA, automjeti i parë ushtarak shqiptar, lindur nga zemra e kombit tonë dhe krijuar nga forca e grave të jashtëzakonshme. E fortë, sypatrembur, krenare – SHOTA mishëron frymën e inovacionit dhe fuqizimit”, thuhet në përshkrim të videos.
Nuk dihen detajet e veturës e as disponueshmëria për përdorimin e tij.