Ushtria amerikane po përgatitet për operacione të qëndrueshme, disa javore kundër Iranit nëse Presidenti Donald Trump urdhëron një sulm.
Kështu bëjnë me dije dy zyrtarë amerikanë për Reuters, në atë që mund të shndërrohet në një konflikt shumë më serioz sesa është parë më parë midis vendeve, shkruan A2 CNN.
Zbulimi vjen nga zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të planifikimit, ngre rreziqet për diplomacinë që po zhvillohet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Ndërkohë, Trump ka grumbulluar forca ushtarake në rajon, duke rritur frikën e veprimeve të reja ushtarake. Zyrtarët amerikanë thanë të premten se Pentagoni po dërgonte një aeroplanmbajtëse shtesë në Lindjen e Mesme, duke shtuar mijëra trupa të tjera së bashku me avionë luftarakë, shkatërrues me raketa të drejtuara dhe mjete të tjera zjarri të afta për të kryer sulme dhe për t’u mbrojtur kundër tyre.
