Të mërkurën, Kremlini la të kuptohet se planet e Presidentit amerikan Donald Trump për ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes raketore të quajtur “Golden Dome” mund të nxisin rifillimin e kontakteve midis Moskës dhe Uashingtonit për kontrollin e armëve bërthamore.
Çfarë është “Golden Dome”?
“Golden Dome” është një projekt prej 175 miliardë dollarësh, i frymëzuar nga sistemi Iron Dome i Izraelit. Ai synon të mbrojë SHBA-në nga kërcënimet e mundshme bërthamore ose raketore, veçanërisht nga Kina dhe Rusia, që konsiderohen si rivalët kryesorë gjeopolitikë të SHBA-së.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se:
“Kjo është një çështje sovrane për Shtetet e Bashkuara,” por shtoi gjithashtu se mungesa e transparencës dhe informacionit të detajuar rreth projektit e bën të vështirë për Rusinë të vlerësojë ndikimin e tij në barazinë bërthamore me SHBA-në.
Ai shtoi: “Në të ardhmen e afërt, vetë rrjedha e ngjarjeve kërkon rifillimin e kontakteve për stabilitetin strategjik”.
Rusia dhe SHBA-ja, si fuqitë më të mëdha bërthamore në botë, kanë shprehur keqardhje për shpërbërjen e traktateve të ndryshme për kontrollin e armëve, që kishin për qëllim të ngadalësonin garën e armatimit dhe të reduktonin rrezikun e një lufte bërthamore.
SHBA-ja fajëson Rusinë për shkeljet që çuan në kolapsin e Traktatit për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) dhe të Traktatit për Raketat Anti-Balistike (ABM).
SHBA u tërhoq nga traktati INF në vitin 2019, ndërsa nga traktati ABM në vitin 2002.
Peskov përfundoi: “Tani që baza ligjore është shkatërruar dhe një sërë dokumentesh kanë humbur vlefshmërinë, kjo bazë duhet të rikrijohet, në interes të të dy vendeve tona dhe të sigurisë globale.”