Shtetet e Bashkuara janë duke dërguar burime ushtarake, përfshirë disa anije, në Lindje të Mesme si reagim ndaj sulmeve të Izraelit ndaj Iranit dhe një sulmi të mundshëm hakmarrës nga Teherani, thanë të premten dy zyrtarë amerikanë.
Forca detare amerikane e ka udhëzuar luftanijen “USS Thomas Hudner” që ta fillojë lundrimin drejt Mesdheut Lindor dhe ka udhëzuar një luftanije tjetër që ta fillojë lëvizjen përpara, në mënyrë që të jetë në dispozicion, nëse kërkohet nga Shtëpia e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohet me anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së për të diskutuar rreth situatës. Dy zyrtarët folën në kushte anonimiteti për të ofruar hollësi që nuk ishin bërë ende publike.
Forcat në rajon kanë qenë duke ndërmarrë masa qe disa ditë, përfshirë zhvendosjen vullnetare të bazave rajonale nga vartësit ushtarakë, në pritje të sulmeve dhe për ta mbrojtur personelin në rast të një kundërsulmi të shkallës së lartë nga Irani.
Zakonisht në Lindje të Mesme ndodhen rreth 30 mijë trupa amerikane. Megjithatë, kjo shifër shkoi në 43 mijë në tetorin e vitit të kaluar për shkak të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit dhe për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj anijeve komerciale e ushtarake në Detin e Kuq nga rebelët Houthi të Jemenit, të cilët përkrahen nga Teherani.
Luftanija “USS Thomas Hudner” mund të ofrojë mbrojtje kundër raketave balistike.