ShBA-ja e sanksionon eksperten e OKB-së që e ka kritikuar luftën e Izraelit në Gaza

Shtetet e Bashkuara thanë të mërkurën se do t’i vendosin sanksione Francesca Albanese-s, raportuese e posaçme e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara palestineze, e cila ka qenë shumë kritike ndaj luftës së Izraelit në Gaza.

“Sot, unë po vendos sanksione ndaj raportueses së posaçme të OKB-së për të drejtat e njeriut, Francesca Albanese, për përpjekjet e saj jolegjitime dhe të turpshme për të nxitur veprim (nga Gjykata Ndërkombëtare Penale) kundër zyrtarëve, kompanive dhe personave ekzekutivë amerikanë dhe izraelitë” – tha në një deklaratë sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin X të mërkurën vonë, Albanese tha se qëndron “në mënyrë të vendosur dhe bindshëm në anën e drejtësisë, siç kam bërë gjithmonë”, pa i përmendur drejtpërdrejt sanksionet amerikane ndaj saj. Në një mesazh për televizionin “Al Jazeera”, ajo citohet ta ketë cilësuar vendimin e ShBA-së ndaj saj si “teknikë e frikësimit në stilin e mafias”.

Albanese, avokate dhe akademike italiane, u ka bërë thirrje shteteve në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB që Izraelit t’i vendosin embargo armësh dhe t’i ndërpresin lidhjet tregtare e financiare me këtë shtet, duke e akuzuar për zhvillimin e një “fushate gjenocidale” në Gaza.

Izraeli është ballafaquar me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për shkak të sulmit shkatërrues ushtarak ndaj Gazës. Izraeli i mohon akuzat dhe thotë se fushata e tij përbën vetëmbrojtje pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit në tetorin e vitit 2023.

Në një raport të publikuar më herët këtë muaj, zonja Albanese akuzoi më shumë se 60 kompani, përfshirë firma të rëndësishme të armëve dhe teknologjisë, për përfshirë në mbështetjen e vendbanimeve izraelite dhe veprimeve ushtarake të këtij shteti në Gaza. Në raport u bëhej thirrje kompanive që t’i ndërpresin marrëveshjet me Izraelin si dhe për llogaridhënie ligjore për personat ekzekutivë të përfshirë në shkeljet e pretenduara të së drejtës ndërkombëtare.

Albanese është njëra nga dhjetëra ekspertët e pavarur të të drejtave të njeriut që janë ngarkuar me detyrë nga Kombet e Bashkuara për të raportuar për tema dhe kriza specifike. Pikëpamjet e paraqitura nga raportuesit e posaçëm nuk i pasqyrojnë qëndrimet e OKB-së si tërësi.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here