ShBA-ja dhe Rusia votojnë kundër rezolutës së OKB-së që dënon luftën e Rusisë kundër Ukrainës

Shtetet e Bashkuara u bashkuan me Rusinë për të votuar kundër një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon luftën e Rusisë kundër Ukrainës të hënën, në atë që mediat ndërkombëtare e konsiderojnë një “kthesë befasuese” nga politika shumëvjeçare e ShBA-së.

Votimi kundër rezolutës së mbështetur nga Ukraina dhe vendet evropiane e vuri ShBA-në në kundërshtim me aleatët e saj të përhershëm evropianë dhe në përputhje me agresorin në luftë, në përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.

Kjo ndodhi ndërsa administrata Trump ka zhvilluar bisedime me Moskën për t’i dhënë fund luftës, ndërkohë që Presidenti Donald Trump ka ashpërsuar retorikën e tij ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Rezoluta u miratua nga Asambleja e Përgjithshme me 93 vota pro. Ajo vë në dukje “me shqetësim se pushtimi i plotë i Ukrainës nga Federata Ruse ka vazhduar për tre vjet dhe vijon të ketë pasoja shkatërrimtare dhe afatgjata jo vetëm për Ukrainën, por edhe për rajone të tjera dhe për stabilitetin global” dhe “bën thirrje për de-përshkallëzim, për një ndalim të hershëm të armiqësive dhe për një zgjidhje paqësore të luftës kundër Ukrainës.”

ShBA kishte paraqitur një rezolutë rivale në Asamblenë e Përgjithshme, e cila nuk e quante Rusinë agresore dhe nuk e njihte integritetin territorial të Ukrainës.

Ajo “bën thirrje për një përfundim të shpejtë të konfliktit dhe më tej nxit një paqe të qëndrueshme midis Ukrainës dhe Rusisë.” Gjithashtu, ajo vajton “humbjen tragjike të jetëve njerëzore gjatë konfliktit Rusi-Ukrainë” dhe rithekson se “qëllimi kryesor i Kombeve të Bashkuara, siç shprehet në Kartën e OKB-së, është ruajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve.”

ShBA pritet të paraqesë të njëjtën draft-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më vonë gjatë ditës së hënë.

Para votimit në Asamblenë e Përgjithshme, Ambasadorja Dorothy Shea, e ngarkuara me punë në Misionin e ShBA-së në OKB, u kishte bërë thirrje “të gjithë Shteteve Anëtare, përfshirë Ukrainën dhe Rusinë,” që të mbështesin rezolutën.

“Një deklaratë e thjeshtë dhe historike nga Asambleja e Përgjithshme që shikon përpara, jo prapa. Një rezolutë e përqendruar në një ide të thjeshtë: Përfundimi i luftës. Një rrugë drejt paqes është e mundur,” tha ajo.

“Zoti President, kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara kundërshtuan paraqitjen e një rezolute tjetër. Dhe kjo është arsyeja pse ne nuk mund ta mbështesim rezolutën e Ukrainës dhe bëjmë thirrje për tërheqjen e saj në favor të një deklarate të fuqishme që na angazhon për t’i dhënë fund luftës dhe për të punuar për një paqe të qëndrueshme,” tha Shea.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here