Australia priti prototipin sekret të sistemit të raketave hipersonike të Shteteve të Bashkuara gjatë lojërave të fundit të luftës, gjë që e bëri Kinën të akuzojë Australinë se është një “mjet” i strategjisë amerikane. Kjo akuzë vjen pasi ushtria amerikane vendosi për herë të parë armën e saj të re eksperimentale hipersonike me rreze të gjatë veprimi Dark Eagle jashtë territorit të SHBA-së kontinentale.
Analisti i Universitetit Normal të Kinës Lindore, Chen Hong, u shpreh për gazetën South China Morning Post, të kontrolluar nga Pekini, se “Australia jo vetëm që ka qenë tashmë një mjet i strategjisë së SHBA-së në Indo-Paqësor, por po bëhet gjithnjë e më shumë një armë strategjike dhe taktike për Uashingtonin në aspekte të shumta”.
Dy lëshues raketash të lëvizshëm u transportuan me aeroplanë të rëndë në territorin verior australian dhe më pas u zhvendosën me rrugë tokësore në vende të pazbuluara.
Kjo u bë si pjesë e manovrave të ushtrimit Talisman Sabre 2025 gjatë javëve të fundit. Kjo stërvitje, që zhvillohet dy herë në vit, mblodhi 40,000 ushtarë, marinarë dhe ekuipazh ajror nga 19 vende, me qëllim përmirësimin e ndërveprimit dhe gatishmërisë ushtarake.
Raketa Dark Eagle është në gjendje të arrijë territorin e pushtuar nga Kina nga territori verior australian. Një raport i shërbimit kërkimor të Kongresit Amerikan, i publikuar muajin e kaluar, thotë se ky sistem i bazuar në kamion ka një rreze veprimi prej 2800 km dhe mund të udhëtojë më shpejt se Mach 5 (pesë herë shpejtësia e zërit, ose 6170 km/orë). Kjo do të thotë se mund të arrijë fortesat e paligjshme të ishujve të Detit të Kinës Jugore të Pekinit në më pak se 30 minuta.
Dark Eagle pritet të hyjë zyrtarisht në shërbim të ushtrisë amerikane deri në fund të këtij viti. Një njësi e plotë (bateri) e këtij sistemi përbëhet nga katër lëshues që mbajnë gjithsej tetë raketa, të mbështetura nga automjete komanduese dhe inxhinierike. Shpejtësia e lartë e raketave pritet t’i bëjë ato të afta të shmangin mbrojtjen e rëndë nga raketat, topat dhe laserët në ishullin e fortifikuar të Kinës, që shërben si pikë kalimi midis Vietnamit dhe Filipineve./Korrespodenti