Policia e Kosovës u ka sekuestruar telefonat pesë personave të arrestuar të mërkurën në një aksion në Prishtinë, Suharekë dhe Ferizaj.
Policia tha sot se telefonat e pesë të arrestuarve, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, u sekuestruan me urdhër të Prokurorisë.
“Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin, më urdhër dhe në bashkëpunim me prokurorinë janë kryer bastisje në Prishtinë, Suharekë dhe Ferizaj me ç’rast janë arrestuar tre meshkuj dhe dy femra kosovarë”, tha policia në raportin 24-orësh.
“Si prova janë sekuestruar dy kompjuterë, pesë telefona mobil, një USB dhe dokumente të ndryshme që lidhen me rastin”, tha policia.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Ata janë Zelije Shala, zyrtare në Agjencinë e Arkivave në Prishtinë, Veton Bytyqi, zyrtar në arkivën e qytetit në Ferizaj, Bashkim Shaiqi, ushtrues i Zyrës Ligjore në Agjencinë Kadastrale dhe Mehdi Bahtiri.