Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ka folur për rëndësinë që Evropa të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe të sigurojë Kievin se mund të mbështetet te përkrahja europiane.
“Ne e mirëpresim faktin që po zhvillohen bisedime për një marrëveshje paqeje, por për ne është e qartë se kjo nuk mund të jetë një diktat,” tha ai, shkruan The Guardian.
Ai gjithashtu tha se Ukrainës duhet t’i lejohet të mbrohet, të vazhdojë rrugën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe të ketë një ushtri të fortë. Sipas tij, këto çështje nuk mund të jenë objekt negociatash.
Scholz iu rikthye edhe idesë për reformimin e rregullave fiskale të BE-së, duke sugjeruar që çdo shpenzim mbi 2% të BPV-së për mbrojtjen duhet të përjashtohet nga kufizimet ekzistuese.
Ai tha se duhen burime të reja financimi, në mënyrë që mbështetja e mëtejshme për Ukrainën të mos vijë përmes shkurtimeve në buxhetet e brendshme dhe shërbimet publike.
Kancelari gjerman u pyet sërish për idenë e dërgimit të trupave europiane në Ukrainë si pjesë e një force paqeruajtëse dhe ai përsëriti qëndrimin e tij të mëparshëm se këto diskutime janë të parakohshme.
Ai tha se është i irrituar nga sugjerime të tilla, pasi janë spekulative dhe i paraprijnë bisedimeve të mundshme për paqe, duke i cilësuar ato si “shumë të papërshtatshme.”
Scholz gjithashtu theksoi se nuk mund të ketë një ndarje mes Europës dhe SHBA-së në çështjet e sigurisë, duke nënvizuar rëndësinë e aleancës së NATO-s.