Dy gazetarë ukrainas u vranë nga një sulm rus me dron në qytetin lindor Kramatorsk të enjten. Sulmi u dënua nga presidenti Volodymyr Zelensky, ndërsa avokati i popullit e cilësoi rastin si krim lufte.
Guvernatori i Donetskut, Vadym Filashkin, i identifikoi gazetarët e vrarë si Olena Hubanova dhe Yevhen Karmazin, punonjës të kanalit televiziv të financuar nga shteti, “Liria”. Ky televizion, i cili programin e ka në gjuhën ruse, e konfirmoi vdekjen e gazetarëve dhe tha se ata ndodheshin në një veturë në një pompë derivatesh në momentin e sulmit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Filashkimi tha se gazetarët u goditën me një “Lancet”, dron i shtrenjtë dhe i fuqishëm që përdoret shpesh kundër tankeve dhe automjeteve të tjera të blinduara.
“Kjo tragjedi është dëshmi e mëtejme e krimeve sistematike ruse të luftës kundër civilëve” – shkroi në rrjetin “Telegram” avokati i popullit i Ukrainës, Dmytro Lubinets.
Zyra e Kryeprokurorit tha se një koleg i dy gazetarëve të vrarë është plagosur dhe se ky institucion ka hapur një hetim për krim lufte. Zyra publikoi një fotografi të një veture të kuqe të shkatërruar dhe dy jelekë me mbishkrimin “Press” (Shtyp).
Zelenksy tha se Rusia ka vrarë 135 përfaqësues të mediave gjatë luftës në Ukrainë. Ai nuk tregoi se sa prej tyre ishin gazetarë.
“Këto nuk janë aksidente ose gabime, por një strategji e qëllimshme ruse për t’ua mbyllur gojën të gjithë zërave të pavarur që raportojnë për krimet e luftës të Rusisë në Ukrainë” – shkroi ai në rrjetin X.
Rusia nuk i komentoi menjëherë deklaratat e avokatit të popullit të Ukrainës.