Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, në një paraqitje para gazetarëve bashkë me presidentin Donald Trump dhe presidentin e FIFA-s, Giovanni Infantino, ka dhënë një paralajmërim për tifozët e vendeve të huaja që planifikojnë të blejnë bileta e të shikojnë ndeshje në stadiumet amerikane vitin e ardhshëm për Kupën e Botës në futboll.
Kryediplomati amerikan i paralajmëroi tifozët e huaj se blerja e një bilete nuk ua garanton automatikisht hyrjen në Shtetet e Bashkuara dhe u bëri thirrje që të aplikojnë për vizë sa më shpejt që është e mundshme.
“Këshilla jonë për secilin është: Nëse keni ndonjë biletë për cilëndo lojë [në ShBA], duhet të aplikoni [për vizë] sa më shpejt që është e mundshme. Mos pritni deri në momentin e fundit. Bileta juaj nuk është vizë, nuk jua garanton hyrjen në ShBA. Ju garanton një përshpejtim të terminit. Prapë do t’i nënshtroheni verifikimit të njëjtë. Ne do ta bëjmë verifikimin e njëjtë si për këdo tjetër” – tha ai.
“Dallimi i vetëm këtu është se do ta përshpejtojmë radhën [e pritjes] ose do të lëvizim më shpejt, por këshilla ime për këdo që është duke na shikuar përreth botës është që, nëse synoni që të vini për t’i shikuar ndeshjet, duhet të keni biletë, duhet të aplikoni [për vizë], aplikoni sa më shpejt që është e mundshme. Do ta keni intervistën brenda gjashtë deri në tetë javësh dhe të lëvizni tutje nga ajo pikë. Mos prisni deri në minutën e fundit që ta bëni këtë” – paralajmëroi sekretari Rubio, përcjell Nacionale.
Kupa e Botës në futboll zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik të vitit të ardhshëm në 16 qytete të tri shteteve më të mëdha të Amerikës së Veriut: Kanada, ShBA dhe Meksikë. Si vende pritëse, ato janë kualifikuar drejtpërdrejt. Në Kupën e Botës, sipas rezultateve të deritashme, do të debutojnë Uzbekistani, Jordania dhe Kepi i Gjelbër.
