“RTK s’është han i babës”, Gërvalla, Ismailit: Emisionin me Drilon Gashin e ndala unë, është i dënuar për sulm ndaj gruas

Drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla, ka reaguar ndaj artistes Adelina Ismaili për sa i përket emisionit të saj që transmetohet në mediumin publik “Show i së Premtes”.

Ismaili e kishte të ftuar teologun Drilon Gashi, por redaksia e RTK-së nuk e aprovoi transmetimin e këtij emisioni, me arsyetim se Gashi ka qenë i dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë për dhunë në familje.

Ismaili emisionin e patransmetuar të dielën e publikoi në faqen e saj në Facebook.

Për këtë situatë Gërvalla është shprehur i habitur, duke thënë se Ismaili ka postuar në storie të rrjetet sociale postoi siç thotë Gërvalla “fabrikime të mediave private”.

Ai tha se “RTK-ja nuk është han i babës”, duke shtuar se i shërben publikes.

Po ashtu, ai ka thënë se Ismaili nuk është e punësuar si gazetare, por kanë bashkëpunim për këtë emision.

E në mënyrë që bashkëpunmi mes Ismailit dhe RTK-së të vazhdojë, Gërvalla tha se shpreson që të gjendet një derëdalje.

“Përkundër që jam në pushim prindëror, me të thënë të kësaj, unë uroj që RTK dhe ekipi i Adelina Ismajlit me të cilët kemi marrëveshje të shkruar për “Show i së Premtes” të gjejmë një derëdalje, që të na mundësojë bashkëpunim të mëtutjeshëm. Sepse unë s’kam asgjë personale kundër saj. E vetmja tek e cila insistoj është që ajo të tregojë ndaj nesh të njëjtin respekt që ne si profesionistë tregojmë ndaj saj”, ka thënë ndër tjerash ai.

Reagimi i plotë i tij në facebook:

Këtyre ditëve ka pasur një numër komentesh për një vendim timin dhe të ekipit editorial që RTK të mos transmetojë një emision me z.Gashi. Emisioni ishte përgatitur nga ekipi i RTK-se dhe nga zonja e nderuar Adelina Ismajli, e cila ka shfaqur botërisht pakënaqësi me këtë vendim. Një numër mediash me agjenda të vetat e kanë kapur këtë pakënaqësi dhe kanë tentuar t’i bëjnë sforco si gjoja represion mbi gazetarinë e lirë, a diçka e ngjashme. Pak jam i habitur që këto fabrikime të mediave private i ka shpërndarë edhe zonja Ismaili në story të rrjeteve sociale.

Dua t’i qartësoj shkurt publikut, se askush s’gëzon të drejtë të xhirojë e të montojë emisione pa miratim nga UD kryeredaktorja përgjegjëse dhe/ose nga drejtori i Televizionit. RTK nuk është han i babës e as medium i ndonjë personi. Ne punojmë në një institucion publik, ku ka njëfarë rendi profesional, e një hierarki juridike.

E dyta, vendimi im, pos kriterit profesional, bazohet edhe mbi faktin se Drilon Gashi është dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës për lëndim të lehtë fizik ndaj gruas së tij. Më 30 dhjetor 2017 ai ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e vet, duke e goditur me grushta. Neni 26 i ligjit të ri për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna gjinore u kërkon mediave që të tregojnë kujdes të veçantë në këtë drejtim. RTK ndoshta mund të detyrohet t’i kërkojë koment Drilon Gashit në të ardhmen, në tema aktuale ku lakohet emri i tij. Por unë si drejtor i TV-RTK-së s’do të lejoj që RTK t’i japë atij platformë publike më shumë se aq. Tek e fundit, gjykoj se kemi tjetër interes primar për RTK, se jetojmë në Kosovën e mijëra halleve, bashkëpunojmë në fushatat institucionale dhe të OJQ-ve kundër dhunës në familje. Synojmë ata/ato që kanë çka t’i ofrojnë shikuesit të shekullin që jetojmë dhe së ardhmes.

Dhe e treta, pohimi se ky vendim qenka represion mbi gazetarinë. Është një gjepur që bie nga marrëzia e vet. Me gjithë respektin maksimal për Adelina Ismajlin, ajo nuk është e punësuar si gazetare. RTK ka nevojë për libero në ekip të vetin, artistë të lirë që shkrepin ide të reja. Por jo çdo ide e shkrepur gjen miratim redaksional, këtë premisë të natyrshme duhet ta pranojnë edhe liberot dhe artistët të cilëve u ofrohet shansi te ne. Sepse RTK është institucion që mban përgjegjësi juridike. Si thashë në fillim: RTK nuk është han i babës. As i imi, e as i Adelinës.

Përkundër që jam në pushim prindëror, me të thënë të kësaj, unë uroj që RTK dhe ekipi i Adelina Ismajlit me të cilët kemi marrëveshje të shkruar për “Show i së Premtes” të gjejmë një
derëdalje, që të na mundësojë bashkëpunim të mëtutjeshëm. Sepse unë s’kam asgjë personale kundër saj. E vetmja tek e cila insistoj është që ajo të tregojë ndaj nesh të njëjtin respekt që ne si profesionistë tregojmë ndaj saj.

P.S: Kuvendi i Kosovës në shtator të vitit të kaluar ka miratuar ‘Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore’.

Në nenin 26 të këtij ligji specifikohet si në vijim:

Mediat dhe institucionet monitoruese të tyre:

1. Me qëllim të parandalimit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, dhe dhunës në baza gjinore operatorët që ofrojnë shërbime mediale audio-vizuale në Republikën e Kosovës, obligohen që:

1.1. Të krijojnë dhe zbatojnë programe informative dhe edukative për ngritjen e vetëdijes
tek publiku i gjerë në media për të gjitha format e dhunës me bazë gjinore;

1.2. Promovojnë barazinë gjinore, eliminimin e stereotipave gjinore dhe eliminimin e gjuhës seksiste në programet dhe produktet mediatike;

1.3. Obligohet Komisioni i Pavarur i Mediave për monitorimin e përmbushjes së obligimeve
të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni

Rrjedhimisht RTK, sikur të promovonte dhunuesit e dënuar për dhunë në familje dhe dhunë ndaj grave do të duhej dënuar. Por, RTK ka vendosur që përtej reagimeve që mund të shkaktojë ndalimi i një episodi, të mbrojë kauzën e grave, kauzën ku një dhunues me vendim gjyqësor të mos lejohet të mbajë leksione për pozitën e gruas, për fuqizimin e saj dhe për paqen ndërnjerëzore.

RTK ka vendosur që përtej reagimeve të mbrojë një kauzë, por edhe sfidë të shoqërisë. Ka vendosur të mos ofrojë dritare për zërin e atyre që ngrisin dorë ndaj gruas. Kjo na takon edhe si medium publik që të edukojmë masën që përtej klikimeve e reagimeve, RTK ka synim mbrojtjen dhe promovimin e kauzave shoqërore.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here