“Rreziku për eskalim, kurrë më i lartë”: Hungaria do të instalojë sistem të mbrojtjes ajrore afër kufirit me Ukrainën

Hungaria do të instalojë një sistem të mbrojtjes ajrore në pjesën verilindore të vendit, pasi rreziku për eskalimin e luftës Ukrainë – Rusi është “më i madh se kurrë”, tha ministri hungarez i Mbrojtjes.

Presidenti rus, Vladimir Putin, të martën e uli pragun për sulme bërthamore si kundërpërgjigje ndaj një grupi të sulmeve konvencionale, pasi Shtetet e Bashkuara e lejuan Ukrainën për të hedhur raketa amerikane në territorin rus, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ukraina përdori raketa amerikane ATACMS për herë të parë të martën, sipas Moskës. Rusia e cilësoi këtë si eskalim të madh.

“Ne ende besojmë se do të ketë paqe sa më shpejt që është e mundshme, përmes diplomacisë në vend të zgjidhjes ushtarake” – tha ministri hungarez, Kristof Szalay-Bobrovniczky.

“Megjithatë, për t’u përgatitur për të gjitha mundësitë, unë urdhërova që sistemet e blera rishtazi të kontrollit ajror dhe të mbrojtjes ajrore dhe kapacitetet e ndërtuara mbi to të instalohen në verilindje” – shtoi ai pas një takimi të Këshillit të Mbrojtjes, që u thirr nga kryeministri Viktor Orban për t’i diskutuar zhvillimet në Ukrainë.

“Rreziku i eskalimit të luftës Ukrainë – Rusi është më i madh se kurrë më parë” – shtoi ministri i Mbrojtjes.

Ai nuk saktësoi se në cilat pjesë të Hungarisë do të instalohet sistemi i mbrojtjes ajrore në verilindje.

Ushtria hungareze, tash për tash duke iu nënshtruar një programi të modernizimit, vitin e kaluar bleu sisteme franceze të mbrojtjes ajrore, “Mistral”, bashkë me katër shtete të tjera të BE-së.

Më 2020, Hungaria ishte pajtuar për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore NASAMS nga kompania norvegjeze “Kongsberg” dhe prodhuesi amerikan i armëve, “Raytheon Technologies”.

Ministri gjithashtu tha se disa njësi të ushtrisë hungareze janë në gjendje të gatishmërisë së lartë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here