Rikthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë: “Kthim automatik nuk mund të ketë, ata kanë vepruar kundër ligjit”

Çështja e rikthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës është rikthyer në qendër të vëmendjes, pas gati tre vitesh që nga dorëheqjet e tyre kolektive në nëntor të vitit 2022.

Kjo temë është rihapur në dritën e deklaratës së krye diplomates së re të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila shprehu pritjen që gjyqtarët dhe prokurorët serbë të kthehen dhe të rinisin detyrat e tyre në institucionet e Kosovës.

Të dorëhequr në nëntor të 2022, dorëheqjet e tyre ende nuk kanë marr epilog nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, derisa kjo çështje u rikthye edhe njëherë në diskutim gjatë vizitës së përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

E njëjta në takimin me përfaqësues të sistemit të drejtësisë në veri, tha se pret që gjyqtarët dhe prokurorët serb të rikthehen sërish në punë.

Bajraktari: Si rregull dorëheqja është akt individual

Avokati Ardian Bajraktari thotë për “Bota sot”, se dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri, ndonëse formalisht individuale, ishin të organizuara dhe të imponuara, prandaj nuk reflektojnë vullnet të lirë.

Ai deklaron se BE ka investuar shumë në integrimin e drejtësisë në veri, ndaj rikthimi është në përputhje me këtë qëllim. Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial vepruan drejtë që nuk i aprovuan dorëheqjet.

“Si rregull dorëheqja është akt individual, që reflekton vullnetin e individit lidhur me atë se nuk do të vazhdoi të ushtroi një detyrë përkatësisht funksion.

Në rastin konkret bazuar në faktin që dorëheqjet e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të stafit tjetër ishin të organizuara, le të kuptohet se ishin të imponuara, pra jo rezultat i vullnetit të lirë dhe individual.

Nisur nga fakti se Bashkimi Evropian ka investuar shumë në proces të dialogut, e njëra prej arritjeve në dialog ishte pikërisht integrimi në sistemin e drejtësisë i strukturave në pjesën veriore, andaj edhe insistimi për rikthim është në po këtë linjë.

Po ashtu vlen të theksohet se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial nuk i patën aprovuar dorëheqjet e gjyqtarëve respektivisht prokurorëve, e që bazuar në kontekstin dhe rrethanat, vlerësoj se kanë vepruar drejtë” – shprehet avokati.

Burjani: Kthim automatik nuk mund të ketë, sepse ata kanë vepruar kundër ligjit

Juristi Blerim Bujrani në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se kthimi i gjyqtarëve e prokurorëve serbë në veri është i mundur vetëm për ata që nuk janë ndikuar nga politika.

Ai potencon se ata u larguan vullnetarisht, pa presion nga institucionet e Kosovës, duke iu bindur kërkesës së Serbisë.

Tutje, shton se rikthimi nuk mund të jetë automatik – duhet hapur konkurse dhe të ndiqen procedurat ligjore për përbërje të balancuar e të ligjshme në sistemin e drejtësisë.

“Kthimi është i mundshëm i të gjithë atyre të cilët nuk janë të ndikuar nga politika, gjyqësia dhe prokuroria janë të pavarura, ju e dini se atje është bërë politikë jo drejtësi. Kur janë dorëhequr nga postet, ajo ishte një gabim i madh i Serbisë. Atje duhet të ketë një përbërje mikse të gjyqtarëve, prokurorëve, serbë, shqiptarë, boshnjakë, për të bërë një proces të ligjshëm duhet të hapet konkursi, pastaj bëhet rekrutimi. Të gjithë ata të cilët kanë bërë politikë dhe i janë nënshtruar, nuk mund të jenë në cilësi të njëjtë. Ata janë tërhequr me vullnet dhe pa asnjë ndikim të institucioneve të Kosovës, ata i janë bindur thjesht kërkesës së Serbisë për t’u larguar vullnetarisht, askush nuk i ka larguar ata”, thotë ai.

Sa i përket deklaratës së Kaja Kallas, ai shprehet se Kosova ka nevojë urgjente për sistem drejtësie funksional në veri.

“Duhet të hapen konkurse të reja, jo kthim automatik, pasi dorëheqjet kanë qenë vullnetare dhe kundër ligjit – ligji është i qartë: Kush e lë vetë punën, nuk ka të drejtë kthimi.

Edhe pa kërkesën e Kallasit, na duhet të kemi sistem drejtësie që funksionon atje për të gjithë që jetojnë në veri. Pra kërkesa është e drejtë dhe ne duhet të përgjigjemi shpejt, me shpallje konkursesh për gjyqtarë e prokurorë.

Kthim automatik nuk mund të ketë, sepse ata kanë vepruar kundër ligjit. Ligjet janë të qarta: nëse e lëshon punën vetë, asgjë kurrkujt”, përfundon ai.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here