Rikthehen vizat për Gjeorgjinë, propozimi i KE: Masa ndaj politikanëve e diplomatëve

Komisioni Evropian ka propozuar pezullimin e lëvizjes pa viza për zyrtarët dhe diplomatët gjeorgjianë, si përgjigje ndaj reagimit të dhunshëm ndaj protestuesve që prej javësh kanë mbushur rrugët për të denoncuar devijimin e vendit nga rruga e BE-së nga qeveria vendase.

Demonstratat, aktualisht në ditën e 22-të, nisën nga fundi i nëntorit pasi kryeministri Irakli Kobakhidze njoftoi papritur pezullimin e negociatave të anëtarësimit në BE deri në vitin 2028, pavarësisht se një detyrim nga Kushtetuta i detyron organet shtetërore të marrin të gjitha masat brenda rrezes së kompetencave të tyre për të siguruar integrimin e Gjeorgjisë.

Shtypja e dhunshme e protestuesve pro-evropianë ka çuar në përleshje, arrestime të figurave të opozitës, shumë të plagosur dhe ngritje e akuzave për rrahje dhe tortura në adresë të policisë.

Zemërimi është akumuluar nga parregullsitë që karakterizuan zgjedhjet parlamentare të tetorit, në të cilat kryeministri pro-rus fitoi shumicën.Më herët gjatë javës, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas parashtroi propozimin e parë për të sanksionuar autoritetet gjeorgjiane për dhunën. Por plani i saj u bllokua nga Hungaria dhe Sllovakia që e konsideruan ndërhyrje në punët e brendshme.

Kallas gjithsesi mori mjaftueshëm mbështetje për të pezulluar lëvizjen e lirë për diplomatët gjeorgjianë, gjë që konsiderohet shumë më pak e fuqishme se sanksionet.

Propozimi i bërë të premten kërkon vetëm një shumicë të kualifikuar të shteteve anëtare që të aprovohet, duke u mohuar Hungarisë dhe Sllovakisë të drejtën e vetos.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here