Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arber Rexhaj, ka reaguar ashpër ndaj ish-kryeministrit Avdullah Hoti pas kritikave të fundit lidhur me Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore.
Në një postim në Facebook, Rexhaj ka akuzuar Hotin dhe ish-qeverinë e tij për dështim në zbatimin e ligjit të mëparshëm dhe ka theksuar se ata nuk e kishin as idenë se si të themelonin Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Sipas Rexhajt, ky dështim ka çuar në një sistem të ngarkuar me korrupsion dhe ka favorizuar punësimin e militantëve të LDK-së.
Postimi i Rexhat në facebook:
Paska folur Avdullah Hoti për Ligjin e Sigurimeve të detyrueshme shëndetësore. Ish- ministri i financave që nuk diti as ta zbatojë ligjin e vjetër për sigurime as nuk diti ai dhe shefi i tij se si ta themelonin Fondin e Sigurimeve dhe e katandisën për shumë kohë në sportel ku dorëzohen veç profaktura dhe buron korrupsion dhe ku punësuan krejt balldëskat e LDK-së.
Më pas PAN-i ia dha edhe një yrysh me do të tjerë të ngjashëm.
Z. Hoti as atëherë nuk e ka kuptuar çfarë janë sigurimet shëndetësore e as tani.
Ka shumë të ngjarë që as e ka lexuar ligjin e ri. Por vetëm ka parasysh që kontributet do të jenë 3.5% punëdhënësi dhe 3.5% punëmarrësi. Kjo nuk ka ndërruar sepse kjo ka qenë në programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që në vitin 2012.
Dhe se ideatorët e studimit për sigurimet në Kosovë kanë qenë ekspertët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!
LDK mund të flasë për plot tema, veç për sigurimet shëndetësore jo sepse ka dështuar në mënyrë spektakolare kur ka drejtuar qeverinë.
Dy herë nisi me e mbledh primin dy herë ja huqi.
Hera e tretë kuptohet, nuk do ta kenë atë shans.
Ky reagim i Arber Rexhajt vjen pas kritikave të Avdullah Hotit, ku ky i fundit ka thënë se Ligji i ri për Sigurimet Shëndetësore, i miratuar nga qeveria aktuale, është pothuajse identik me ligjin ekzistues dhe e akuzoi qeverinë për miratimin e tij brenda një dite, pa ofruar ndryshime substanciale.