Gazeta britanike, “The Guardian”, duke cituar burime në pjesën lindore të Afrikës, raporton se rajoni separatist i Somalisë, Somaliland, i cili nuk gëzon njohje ndërkombëtare, së shpejti mund ta arrijë këtë qëllim, pas shenjave se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të jetë udhëheqësi i parë që e njeh republikën e vetëshpallur në këmbim të ndërtimit të një baze ushtarake afër portit Berbera, vend strategjik në Gjirin e Adenit.
Presidenti i ri i Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi, në një invervistë për gazetën e njohur britanike tha se vendi i tij, që u nda nga Somalia më 1991, është buzë sigurimit të njohjes ndërkombëtare, një zhvillim që do të nxiste tensione në Bririn e Afrikës, rajon tashmë i kapluar nga trazirat.
“Njohja është në horizont” – tha politikani 69-vjeçar në intervistën e realizuar në pallatin presidencial, në kryeqytetin Hargeisa. Një lëvizje e tillë do ta zemëronte Somalinë, shtet që njohjen e Somalilandit do ta shihte sulm ndaj sovranitetit të saj, do t’i shqetësonte fuqitë rajonale në gadishullin strategjik dhe do të nxiste brengë më të gjerë se një vendim i tillë vendos precedent për lëvizjet separatiste në mbarë kontinentin afrikan.
Pavarësisht nga stabiliteti relativ dhe zgjedhjet e rregullta demokratike. Somalilandi, territor me rreth pesë milionë banorë, ende nuk është njohur nga asnjë shtet si vend i pavarur.
“Është çështje kohe. Jo nëse, por kur dhe kush do t’i prijë njohjes së Somalilandit” – tha presidenti Abdullahi. Ai zbuloi se disa zyrtarë ushtarakë amerikanë, përfshirë oficerin më të lartë për Bririn e Afrikës, e kanë vizituar rishtazi kryeqytetin Hargeisa. Një delegacion tjetër nga Uashingtoni pritet ta “vlerësojë asetin [Berberan]”.
Një bazë ushtarake kyçe amerikane, Camp Lemonnier, ndodhet në Xhibutin fqinj, por janë duke u shtuar shqetësimet për ndikimin e Kinës atje, përderisa Pekini po vazhdon që t’i forcojë lidhjet me Afrikën.
Në prill, aeroplanmbajtëset amerikane afër bregdetit të Somalilandit patën rol në fushatën bombarduese të ShBA-së në Jemen, duke iu kundërpërgjigjur pengimit të transportit detar në Detin e Kuq nga rebelët Houthi.
Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë njoftuar ndonjë marrëveshje formale me Somalilandin, por Abdullahi tha se janë duke u bërë përpjekje për ta garantuar tregtinë detare globale.