Izraeli e ka ndërprerë shpërndarjen e ndihmave në Gaza, sipas televizionit “Channel 12”, i cili citoi një zyrtar izraelit.
Raporti erdhi pak pasi zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se ai e ka urdhëruar ushtrinë që t’i paraqesë një plan brenda dy ditëve të ardhshme për atë se si t’i parandalohet Hamasit vjedhja e asistencës humanitare, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Zyrtari izraelit i cituar nga televizioni “Channel 12” tha se deklarata nga Zyra e Kryeministrit erdhi pasi ministri i Financave, Bezalel Smotrich, kërcënoi se nuk mund të qëndronte më pjesë e Qeverisë, nëse nuk do të ndërmerreshin veprime për ta parandaluar arritjen e ndihmave në duart e Hamasit.
Zyrtari tha se pauza e shpërndarjes së ndihmave do të mbetet në fuqi derisa Forcat e Mbrojtjes të Izraelit ta paraqesin planin e tyre.
Izraeli ka thënë më parë se me bllokadën ndaj ndihmave synohet që t’i bëhet trysni Hamasit për t’i liruar 50 pengjet që grupi po i mban nga tetori i vitit 2023. Më pak se gjysma prej tyre besohet se janë ende gjallë.
Lufta dhe bllokada kanë shkaktuar krizë humanitare, duke sjellë mungesë të produkteve elementare dhe duke e shtyrë sistemin shëndetësor të Gazës drejt kolapsit.
Shtatëmbëdhjeta nga 36 spitalet e enklavës mbeten pjesërisht funksionale, duke u ofruar kujdes shëndetësor më shumë se 2 milion njerëzve në kohën e bombardimeve, rritjes së shkallës së kequshqyerjes dhe pakësimit të furnizimeve mjekësore, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Organizata “Human Rights Watch” tha në një raport të publikuar rishtazi se të gjitha objektet shëndetësore në Gaza janë duke operuar në kushte josanitare dhe të stërngarkuara dhe kanë mungesë serioze të produkteve themelore të kujdesit shëndetësor, përfshirë vaksinat dhe ilaçet.