Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, patën një bisedë të tensionuar telefonike javën e kaluar për atë se si t’i kundërvihen Iranit, raportoi televizioni izraelit të hënën, duke i kundërshtuar pretendimet e mëhershme se dy udhëheqësit ishin pajtuar për një qëndrim të përbashkët për ta parandaluar Teheranin nga prodhimi i një arme bërthamore.
Sipas televizionit “Channel 12”, biseda mes presidentit amerikan e kryeministrit izraelit u karakterizua nga mosmarrëveshje të theksuara. Thuhet se Trumpi i ka thënë Netanyahut: “Unë dua një zgjidhje diplomatike me iranianët. Unë besoj në aftësinë time për të bërë një marrëveshje të mirë”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Ai gjithashtu raportohet ta ketë theksuar interesimin e tij për një marrëveshje që do t’u shërbente interesave të të dyja palëve. Toni i bisedës duket se bie ndesh me pretendimet e mëhershme, në të cilat sugjerohej se Trumpi dhe Netanyahu e kishin përmbyllur telefonatën me mirëkuptim reciprok.
Si reagim, Zyra e Kryeministrit të Izraelit i mohoi televizionit se Netanyahu kishte një “bisedë të tensionuar” me Trumpin.
Pas telefonatës të enjten, zyra e Netanyahut kishte lëshuar një komunikatë në të cilën thuhej se Trumpi dhe kryeministri izraelit “u pajtuan për nevojën që të sigurohen që Irani nuk siguron armë bërthamore”.
Ndërkohë, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka qenë duke reklamuar “progres të vërtetë” në bisedimet bërthamore mes vendit të tij dhe Iranit. Të dielën, ai parashikoi se mund të ketë “lajme të mira” në vazhdim.
Sidoqoftë, Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi të hënën se ende nuk ishte caktuar ndonjë datë për rundin e ri të bisedimeve dhe u zotua se Teherani nuk do ta shqyrtojë pezullimin e përkohshëm të pasurimit të uraniumit, siç po kërkon Uashingtoni.
Raporti i televizionit “Channel 12” për tensionet mes Netanyahut dhe Trumpit erdhi pak kohë pas vizitës së sekretares së Sigurisë së Atdheut, Kristi Noem, në Izrael. Në një intervistë, ajo tha: “Presidenti Trump më dërgoi mua në mënyrë specifike këtu për të folur me kryeministrin për atë se si janë duke shkuar bisedimet dhe sa e rëndësishme është që ne të qëndrojmë të bashkuar dhe ta lejojmë këtë proces të zhvillohet.”
Zyrtarja e lartë e Trumpit tha se i ka treguar Netanyahut se “si ndihemi ne në të vërtetë për Izraelin, për përkrahjen tonë për Izraelin, por këto negociata janë të rëndësishme në mënyrë kritike, gjithashtu.”/Nacionale