Raportohet për 50 të vrarë në Gaza nga sulmet izraelite vetëm nga mesnata e kaluar

Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza tha të premten se 50 njerëz u vranë nga sulmet izraelite në enklavën palestineze nga mesnata.

“Numri i martirëve të vrarë nga bombardimet izraelite që në shënjestër patën shtëpi civile në veri të Rripit të Gazës mes mesnatës dhe mëngjesit të hershëm është rritur në 50… Ekipet tona ende janë duke punuar në ato zona” – i tha agjencisë së lajmeve AFP zyrtari i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Mohammed al-Mughayyir, raporton gazeta “The Guardian”.

Në Spitalin Indonezian, një gazetar i agjencisë së lajmeve “Associated Press” numëroi të paktën 20 trupa të pajetë. Të mbijetuarit thanë se ende shumë njerëz ndodheshin nën rrënoja.

Sulmet e gjera të forcave izraelite në pjesë të ndryshme të Gazës po bëhen në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, po e përmbyll vizitën e tij disaditore në vendet e Gjirit Persik, por jo edhe në Izrael.

Bllokada izraelite e ndihmave në Gaza tashmë ka hyrë në muajin e tretë. Të enjten, Trumpi tha se dëshiron që Shtetet e Bashkuara ta bëjnë Gazën “zonë të lirisë”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua më herët këtë javë që ta vazhdojë përshkallëzimin e premtuar të forcës në luftë me qëllim të arritjes së objektivit për ta shkatërruar Hamasin.

Në një zhvillim tjetër, ushtria izraelite vrau pesë militantë në Bregun e pushtuar Perëndimor, disa orë pasi një grua shtatzënë u vra nga të shtënat me armë zjarri.

Grupi Xhihadi Islam tha se pesë pjesëtarë të tij ishin vrarë gjatë përleshjes me forcat izraelite, të cilat e rrethuan shtëpinë ku ndodheshin ata në qytezën Tammun. Nuk ishte e qartë nëse ata kishin ndonjë lidhje me të shtënat.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here